Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 18:00

Shqipëria do të qëndrojë dhe kontribuojë në Afganistan, përtej vitit 2014, për aq kohë sa do të duhet për të arritur objektivin e përbashkët të Komunitetit Ndërkombëtar për të sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim në vend.

Kështu deklaroi zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, në Konferencën Ndërkombëtare mbi Afganistanin, të mbajtur sot në Bon të Gjermanisë e cila zhvillohet 10 vjet pas konferencës së parë të Bonit.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në konferencë, morën pjesë mbi 100 delegacione nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare ndërsa ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, Kancelarja gjermane Angela Merkel; Presidenti i Afganistanit, z. Karzai, etj.

Në fjalën e tij, kryediplomati shqiptar theksoi se Shqipëria, mbështet përpjekjet e Afganistanit për të marrë të gjitha përgjegjësitë lidhur me sigurinë në vend dhe më tej përshëndet vendimin e marrë nga Presidenti Karzai për të kaluar në fazën e dytë të këtij tranzicioni.

Ai tha se “tashmë është e rëndësishme që të përcjellim mesazhin tek populli afgan se Komuniteti Ndërkombëtar do të qëndrojë në Afganistan edhe pas vitit 2014”.

Kontributi i vendit tonë, tha zv/kryeministri ka ardhur gjithmonë në rritje dhe është përqendruar në fusha ku Afganistani ka nevojë duke bërë të ditur se  Shqipëria ka aktualisht në Afganistan 333 ushtarakë dhe policë, të cilët janë vendosur në disa zona të ndjeshme.

“Forcimi i paqes dhe i sigurisë në Afganistan, nuk mund të arrihet vetëm me mjete dhe rrugë ushtarake, por edhe duke forcuar dimensionin civil të asistencës. Një sfidë tjetër për komunitetin ndërkombëtar, mbetet lufta kundër prodhimit të drogës dhe tregtimit të saj, e cila ka implikime jo vetëm për Afganistanin, por edhe për zonat e tjera”, theksoi Haxhinasto.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Haxhinasto tha se Shqipëria do të qëndrojë dhe kontribuojë në Afganistan, përtej vitit 2014, për aq kohë sa do të duhet për të arritur objektivin e përbashkët të Komunitetit Ndërkombëtar për të sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim në vend.

Shqipëria, tha ai, si pjesë e komunitetit ndërkombëtar, do të ndihmojë popullin afgan në rrugën e tij për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Gjatë konferencës, Ministri Haxhinasto  pati takime dypalëshe me Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Klinton, të cilën e ftoi për të marrë pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut, që do të mbahet në Tiranë.

Gjithashtu u takua me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, znj. Kethrin Ashton, si dhe me Ministrat e Jashtëm të Italisë, Gjermanisë, Francës, Kinës, Bullgarisë, Azerbajxhanit, Koresë së Jugut dhe vendeve të rajonit.