Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 16:00

Tiranë- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, deklaroi sot se, “Plani Ahtisari është zgjidhja e vetme për veriun e Kosovës”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e ri të Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, ministri Haxhinasto duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për idenë e hedhur për një autonomi për veriun e Kosovës, theksoi se, “mendoj se marrëveshja e arritur për pjesëmarrjen e Kosovës, në iniciativat rajonale, është një arritje për Kosovën, pasi konsolidon veprimin e saj si një subjekt i pavarur ndërkombëtar”.

“Ajo që mbetet për të bërë, është që kjo marrëveshje të zbatohet nga të gjithë faktorët, duke e respektuar atë ashtu siç është rënë dakort. Përsa i takon ideve, mendimeve, sugjerimeve për autonomi mendoj se ka ardhur koha që çdo përfaqësues europian, ndërkombëtar, të flasë me një zë për nevojën e zbatimit të plotë të planit Ahtisaari për veriun dhe të mos krijojë kakofoni, pasi kështu nuk është aspak produktiv, por përkundrazi krijon situata, të cilat nuk i shërbejnë zgjidhjes së këtij problemi”, tha Haxhinasto.

Unë mendoj, vijoi ai, se është momenti që, shoqëria kosovare brenda kufijve aktualë të Kosovës, të mendojë për integrimin e mëtejshëm të saj dhe jo për krijimin e formateve, të cilat kanë dështuar në të kaluarën, kështu mendoj se këtë perspektivë që është gjithashtu edhe një perspektivë shumë e rëndësishme europiane, e jep në mënyrën më të saktë plani Ahtisaari për veriun e Kosovës.

Ministri Haxhinasto theksoi se, ” të dy vendet po punojnë intensivisht për të krijuar një treg unik, duke hequr gjithë barrierat ekzistuese në shkëmbimet mes tyre”. “Rruga e Kombit”, theksoi ai, si arterie kryesore që lidh Kosovën e Shqipërinë krijon mundësi për shtrirjen e këtij bashkëpunimi në kapilarët e ekonomisë së vendeve tona, përmes projekteve të përbashkëta në fushën e infrastrukturës, energjitikës etj.

“Shqipëria do të vazhdojë t’a mbështesë Kosovën për njohjet e reja, pasi kështu kontribuojmë drejtpërdrejtë në realizimin e një aspirate të madhe të popullit të Kosovës, por edhe për një arsye tjetër shumë themelore, se pavarësia e Kosovës ka rritur dukshëm të gjithë parametrat e paqes stabilitetit në rajonin tonë”, tha Haxhinasto.

Ambasadori i Kosovës, Selimi theksoi se, në qendër të bisedimeve dypëalëshe ishin çësthej që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimin në nivele të ndryshme, si në nivelin politik, ekonomik, por edhe atë kulturor në përgjithësi. Ai vlerësoi edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare në të gjitha proceset zhvilluese të Kosovës. (LajmeShqip.com)