Lajme Shqip Monday, 12 March 2012 14:30

Tiranë -Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, theksoi sot rëndësinë e përshpejtimit të punës për reformën zgjedhore, si një reformë kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

Gjatë një takimi me ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Ëollfarth, ministri Haxhinasto nënvizoi se ky proces duhet të vazhdojë të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë faktorët politikë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për ruajtjen e fokusit dhe rritjen e shpejtësisë për reformat, tashmë pjesë e planit kombëtar për integrimin.

Haxhinasto vlerësoi rolin e OSBE-së gjatë 15 viteve të pranisë në vendin tonë, në konsolidimin demokratik të vendit, reformat institucionale, sidomos ato që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë.

Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon si dhe në zhvillimet e fundit në Maqedoni. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se incidentet e ditëve të fundit nuk kontribuojnë për bashkëjetesën dhe harmoninë ndëretnike, ndaj duhen trajtuar me qetësi dhe maturi nga faktorët politikë atje. Gjithashtu u theksua nevoja e një hetimi të plotë të këtyre ngjarjeve dhe ndëshkimi i fajtorëve.