Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 16:32

Shkup-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto deklaroi në Shkup se Tirana mbetet në kërkesën për zbardhjen e të gjitha incidenteve, përfshirë dhe rrahjen e dhjetëra nxënësve shqiptarë në Shkup, nga grupe të etnisë maqedonase.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Kemi kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve, kemi kërkuar që institucionet e zbatimit të ligjit të vënë para drejtësisë personat përgjegjës. Kemi kërkuar gjithashtu që të gjithë përfaqësuesit politikë të tregojnë maturi, të tregojnë qetësi dhe mbështetje për institucionet e ligjit për trajtimin e këtyre ngjarjeve”, deklaroi Ministri Haxhinasto, i cili, është pyetur edhe për rastin e djegies së flamurit maqedonas në Burrel të Shqipërisë.

Ai tha se dënon aktin e tillë, por, edhe atë të djegies së flamurit shqiptar në Maqedoni. “Kam parë edhe incidente në të cilat është djegur flamuri shqiptar. Incidentet e tilla nuk guxojnë të ndodhin pasi simbolet kombëtare janë të shenjta për çdo komb, për çdo qytetar. Por, ne sot konstatuam se këto incidente nuk i prishin raportet tona të shkëlqyeshme. Do të përsërisë edhe njëherë, se është shumë me rëndësi që institucionet të veprojnë sipas ligjit”, u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare, duke i dhënë rëndësi edhe Marrëveshjes së Ohrit, zbatimi i së cilës ka rëndësi për raportet e brendshme në shtet.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki, tha se ndaj të gjitha llojeve të incidenteve që kanë për qëllim prishjen e bashkëpunimit të mirë në rajon, duhet të veprohet me forcën e ligjit.

“Është me rëndësi të jashtëzakonshme që çdo gjest që çon në prishjen e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që dëshirojmë ta ndërtojmë në rajonin tonë, çdo gjest që mund të jetë fyes për cilin do qoftë nga miqtë apo fqinjët si në Shqipëri, në Maqedoni dhe në gjithë rajonin duhet të dënohet dhe duhet të trajtohen në kuadër të institucioneve të sistemit”, deklaroi Ministri Poposki.

Ai dhe homologu i tij shqiptar, raportet mes dy vendeve i kanë vlerësuar si shumë të mira, duke theksuar vizionin e tyre shumë të qartë të integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian. Sipas tyre, klima e mirë e bashkëpunimi politik duhet të konkretizohet me projekte konkrete edhe në fushën ekonomike.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, është pritur edhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetëror dhe përfaqësues të partive politike shqiptare.

Ndryshe, në Maqedoni ka qëndruar edhe një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë i kryesuar nga zëvendësministri i brendshëm Avenir Peka, i cili, së bashku me ministren e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, nënshkruan një marrëveshje për themelimin e një qendre kontaktuese për bashkëpunim policor në vendkalimin kufitar Qafë Thanë. (REL)