Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 18:34

Tiranë – Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto në takimin me kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan McNaught Stonestreet, konformoi sot angazhimin e qeverisë për një proçes zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare.

Kreu i Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan McNaught Stonestreet ka mbrritur dje në Tiranë në krye të një grupi ekspertësh me ftesë të qeverisë për t’i paraprirë misionit afatgjatë dhe afatshkurtër të monitorimit të procesit zgjedhor të 8 Majit.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se gjatë takimit Haxhinasto theksoi se “qeveria shqiptare është e angazhuar që të riafirmojë përvojën pozitive në realizimin e  një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent, kompetitiv dhe në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare, ashtu siç janë çertifikuar nga raportet e OSBE/ODIHR”.

Shefi i diplomacisë shqiptare vuri theksin në rëndësinë e kontributit të gjithë aktorëve politikë në krijimin e klimës së duhur të bashkëpunimit, që do të garantojë zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.

Stonestreet pasi vlerësoi qëndrimin e qeverisë për ftesën për pjesëmarrje të një misioni të gjerë vëzhguesish në funksion të rritjes së transparencës së procesit zgjedhor dhe një vlerësimi të drejtë dhe objektiv të tyre, bëri një paraqitje të shkurtër të qëllimit të misionit dhe të aktivitetit të tyre në tërë periudhën e monitorimit.