Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 21:00

Tiranë- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tripoli takoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Libisë, Ashur Ben Khaial ku diskutuan mbi situatën në Libi, bashkëpunimin dypalësh dhe asistencën që mund t’i ofrohet Libisë në këtë periudhë tranzicioni.

Sipas njoftimit për shtyp nga MPJ, Haxhinasto tha se, ” Shqipëria është e gatshme të ofrojë ndihmë dhe asistencë konkrete dhe propozoi organizimin e komisioneve të përbashkëta për të shqyrtuar këto mundësi në fusha si ekonomia, energjia, hidrokarburet, ndërtimi, etj”. 

“Eksperienca shqiptare e tranzicionit nga diktatura në demokraci, mund të jetë e vlefshme për Libinë dhe ne jemi gati që të ofrojmë këtë eksperiencë nëse nevojitet, për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të Libisë”, tha Haxhinasto.

Nga ana a tij, Ministri i jashtëm i Libisë, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe nënvizoi se është e nevojshme që të rikonsiderohen dhe rivlerësohen ato në kuadër të ndryshimeve që kanë ndodhur në Libi.

Gjatë vizitës në Tripoli, Ministri Haxhinasto pati një takim edhe me Kryetarin e NTC (Këshillit Kombëtar të Tranzicionit), Mustafa Abduljalil. Në këtë takim Ministri Haxhinasto nënvizoi vullnetin e Qeverise shqiptare për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se duhet të krijohet një komision i përbashkët për të evidentuar fushat e bashkëpunimit në të ardhmen, si dhe të forcohet bashkëpunimi midis komuniteteve të biznesit, duke organizuar një forum biznesi.

Ministri Haxhinasto diksutoi me Ministri Libian i Punëve të jashtme dhe Kryetarin e NTC edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, dhe u ndalën veçanërisht në çështjen e njohjeve të reja për shtetin e ri të Kosovës.

Haxhinasto u kërkoi Ashur Ben Khaial dhe Mustafa Abduljalil që Libia të marrë një vendim miratues ndaj njohjes së Kosovës, duke nënvizuar se një gjë e tillë do të ketë ndikim pozitiv në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit. (LajmeShqip.com)