Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 09:40

Tiranë – Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, është nisur dje drejt Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Afganistanin, e cila zhvillohet sor më 5 dhjetor në Bon.

Ky aktivitet i rëndësishëm do të mbahet në nivelin e Ministrave të Punëve të Jashtme dhe do të mbledhë së bashku partnerët ndërkombëtarë që janë politikisht dhe ushtarakisht aktivë në Afganistan, si edhe një seri organizatash ndërkombëtare.

Konferenca me temë “Nga Tranzicioni në Transformim”, organizohet nga Republika Federale Gjermane dhe do të kryesohet nga Hamid Karzai, President i Republikës Islamike të Afganistanit.

Aktiviteti mbahet pikërisht 10 vjet pas Konferencës së Petersbergut me synim kryesor mobilizimin e mëtejshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare për mbështetjen e së ardhmes së Afganistanit. Konferenca e Bonit pason Konferencën e Londrës (janar 2010) dhe Konferencën e Kabulit (20 korrik 2010).

Konferenca e Bonit zhvillohet në një kohë vendimtare për angazhimin e mëtejshëm të Bashkësisë Ndërkombëtare në Afganistan, kur kjo e fundit po ia kalon gradualisht përgjegjësitë e procesit të sigurisë Qeverisë Afgane.

Ky proces, ashtu siç është vendosur në Samitin e NATO-s në Lisbonë, është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit 2014.