Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 18:01

Tiranë – Gjatë vizitës zyrtare në Sofje, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, pati një takim me Kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë, Tsetska Tsacheva. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy parlamenteve.

Zv/kryeministri Haxhinasto tha se dimensioni i bashkëpunimit parlamentar është një vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe proceseve integruese në rajon.

Ndër aspektet e bashkëpunimit dypalësh u nënvizua infrastruktura, transporti dhe turizmi.

Kryeparlamentarja bullgare theksoi se qytetarët e dy vendeve duhet të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe këtij qëllimi i shërben edhe ndërtimi dhe përfundimi i Korridorit 8.

Haxhinasto vlerësoi asistencën e parlamentarëve bullgarë si në planin dypalësh, ashtu dhe në nivel të Parlamentit të Bashkimit Europian.

Z. Haxhinasto theksoi se priste me kënaqësi të shihte znj. Tsacheva në Tiranë së shpejti, në përgjigje të ftesës së Kryetares së Kuvendit znj. Topalli. Ai shprehu bindjen se kjo vizitë do të nxisë më tej bashkëpunim ndërparlamentar,  sidomos në kushtet aktuale, kur Shqipëria përgatitet të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Haxhinasto gjatë ditës takoi edhe homologun e tij bullgar.