Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 11:09

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto priti sot në një takim kortezie Princin Raad Al-Hussein të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.

Zyra e shtypi e MPJ-së bëri të ditur se Princi i Jordanisë ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë, ku do të marë pjesë në takimin e Grupit të Punës për Universalizimin e Konventës së Otaëa-s për ndalimin e minave anti-personel.

Në këtë takim, shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi rolin e Princit Raad Al-Hussein dhe angazhimin e tij maksimal në detyrën e të Dërguarit të Posaçëm për Universalizimin e Konventës së Otaëa-s, lidhur me ndalimin e minave anti-personel.

Gjithashtu, Haxhinasto shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në këtë përpjekje, që i shërben arritjes së objektivave të Konventës, për “një botë pa mina”.

Ndërsa Princi Raad al-Hussein vlerësoi punën e bërë nga autoritetet shqiptare në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Otaëa-s, 10 muaj para afatit të parashikuar.

Më tej zv/ kryeministri vuri në dukje se qeveria jordaneze ka qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe i kërkoi Princit Raad Al-Hussein që të mbështesë pranë vendeve anëtare të Konferencës Islamike miratimin e projekt-rezolutës mbi “Situatën në Kosovë”, e paraqitur nga delegacioni shqiptar, që do të miratohet në Konferencën e ardhshme të Ministrave të Punëve të Jashtme të OKI, në fund të qershorit 2011.

Ministri Haxhinasto, duke vlerësuar stadin e marrëdhënieve mes dy vendeve, sugjeroi shkëmbime vizitash në nivele të larta me qëllim nxitjen e shkëmbimeve diplomatike, ekonomike dhe tregtare.