Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 20:31

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, konfirmoi edhe një herë sot qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të vendimeve të qeverisë kosovare në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës, në Mitrovicë, dhe veçanërisht në pikat kufitare me Serbinë.

Në një interevistë për ‘Vizion Plus”, Haxhinasto deklaroi se “në thelbin e tij ky qëndrim konsiston në mbështetjen e qeverisë së Kosovës për të ushtruar sovranitetin e saj në gjithë territorin e vet si dhe në nevojën që situata atje të qetësohet”. 
Haxhinasto tha se “duhet të jemi shumë të qartë dhe të tregojmë, me shumë kurajo, përgjegjësin që ka shkaktuar këtë situatë, që në gjykimin tonë, është veprimtaria e segmenteve të caktuara paralele në Mitrovicën e Veriut. Por një shkak mendoj se është edhe mosrealizimi i një reciprociteti ligjor, normal, të nevojshëm në shkëmbimet ekonomiko-tregtare, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë”. 
“Mendoj se Kosova nuk mund të vazhdonte më tej me atë regjim, ku nga njëra anë, hynin importet kontrabandë, duke prishur edhe tregun e Kosovës, dhe nga ana tjetër, nuk kishte një reciprocitet të tillë, që edhe produkti kosovar të hynte pa doganë në Serbi. Prandaj, vendosja e një regjimi reciprok, përsa i takon këtij tranziti, kësaj lëvizjeje të produkteve, ishte e domosdoshme”, u shpreh Haxhinasto. 
Shefi i diplomacisë shqiptare tha se “është e rëndësishme për të ardhmen që situata të stabilizohet. Duhet të ketë një mirëkuptim për një realitet të ri që ekziston ne Kosovë, aty duhet kthyer legjitimiteti në funksionimin e doganave, në funksionimin e autoritetit qoftë vendor, qoftë në zbatim të ligjit, me qëllim që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të jenë marrëdhënie normale mes dy shteteve sovrane”.