Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 19:30

Prishtinë – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto tha se marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë ndikojnë tërësisht në zgjidhjen e disa problemeve të qytetarëve. Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, ai tha se këto janë marrëveshje ndërmjet dy shteteve, por njohja e Kosovës nga Serbia i takon të ardhmes.

“Unë nuk do të flisja për njohje. Unë do të flisja për realizimin e disa marrëveshjeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Janë disa marrëveshje, të cilat zgjidhin disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit mes të dy shteteve si shteteve të pavarura. Çështja e njohjes i përket të ardhmes”, tha Haxhinasto.

Sipas shefit të diplomacisë së Shqipërisë shqiptarët kanë bërë koncesion dhe kanë respektuar ndërkombëtarët për formatin e tri “Jo”-ve që paraprinë planin e presidentit Marti Ahtisari.

Ai tha se Shqipëria nuk synon as ndarjen, as bashkimin me Kosovës, por shqiptarët bashkë në Evropë.

“Teza të tilla për bashkim, për krijimin e një shteti të vetëm midis Kosovës dhe Shqipërisë, nuk janë aspak produktive as për procesin e njohjes së Kosovës. As Serbia dhe as Shqipëria nuk janë pronarë të Kosovës që ta ndajnë atë si plaçkë tregu. Dhe, juve u kujtohen edhe tri “Jo”-të: “Jo” në kthimin e gjendjes para 99-ës, “Jo” bashkim dhe “Jo” ndarje. Rruga më e mirë për të zgjidhur aspiratën e shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Europian”, tha Haxhinasto.

Në intervistën për Radio Kosovën, zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë së Shqipërisë Edmond Haxhinasto ka folur gjithashtu mbi rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shqiptarët si faktor i rëndësishëm paqeje në Ballkan, për heqjen e pengesave nga Greqia për udhëtimin e shqiptarëve në Çamëri si dhe për politikën e brendshme të Shqipërisë.