Lajme Shqip Sunday, 31 July 2011 19:33

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, theksoi në një intervistë televizive se Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) aktualisht po përpunon më tej vizionin e saj për të ardhmen, “vizionin tonë jo vetëm për bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike, por po përpunojmë një vizion edhe për Shqipërinë europiane, për 10 vitet e ardhshme, kur Shqipëria duhet të kualifikohet për të qenë anëtare e BE”.

Duke reaguar ndaj thirrjeve mediatike të disa përfaqësuesve të Partisë Socialiste, që kërkojnë një koalicion me LSI-në, Haxhinasto tha se “LSI është parti në pushtet, është pjesë e koalicionit, ka një marrëveshjeje për këtë legjislaturë aktuale, është forcë politikë shumë luajale, siç e tregon ecuria e bashkëqeverisjes, por dhe zgjedhjet e fundit të 8 majit”. 
Ai tha se askush në opozitë “nuk duhet të bëjë plane për riorganizimin e opozitës me mendjen e tij, duke mos marrë në konsideratë qëndrimet, vlerësimet, vizionin dhe angazhimet e LSI-së.  Kështu mendoj edhe në rastin konkret, se çdo riorganizim i opozitës, së pari, u takon atyre që janë në opozitë. Se çfarë do bëjë LSI në të ardhmen është shumë e qartë për forcën tonë politike”.
I pyetur për të komentuar kërkesën e opozitës për ndryshimet kushtetuese, Haxhinasto tha se “ne nuk ndryshojmë qëndrimin përsa i takon ndryshimeve kushtetuese. Por për të arritur optimumin e dispozitave kushtetuese, procesi nuk mund të jetë identik me atë që i solli këto dispozita, duhet të jetë një proces i gjërë diskutimi, me ekspertë, me grupet e interesit, me qëllim që vendi të ketë të gjithë atë cilësi kushtetuese, e cila bën të mundur që Shqipëria të funksionojë si një shtet modern”.