Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 19:00

Tiranë -Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u nis sot për një tur vizitash zyrtare në Singapor, Brunei dhe Tajlandë.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, kjo vizitë do t’i shërbejë zgjerimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, vendosjes së kontakteve midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni dhe inkurajimit të marrëdhënieve ekonomiko- tregtare.

Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, kur të tre vendet nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë do të ndalet në mundësitë e njohjes së saj nga këto vende, në zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke i njohur gjithashtu me kontributin konkret të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucionet e tij legjitime e funksionale në stabilizimin dhe bashkëjetesën në rajon.

Bisedimet që do të zhvillojë ministri Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me zyrtarët e tjerë më të lartë të këtyre vendeve, do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik, për t’i vendosur marrëdhëniet e deritanishme të Republikës së Shqipërisë me këto shtete në një stad të ri, si dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional me to.

Bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse.

Duke bërë të njohur performancën e ekonomisë shqiptare, klimën inkurajuese të investimeve për kompanitë e këtyre vendeve, Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve të tyre për të investuar sidomos në fushën e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, etj. (LajmeShqip.com)