Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 20:17

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Hido Bishcevic, bëri të ditur zyra për shtyp e MPJ-së.

Gjatë takimit, u diskutua lidhur me aktivitetet e RCC-së në fushat prioritare të bashkëpunimit rajonal dhe Planit Strategjik të veprimit për periudhën 2011-2013.

Ministri Haxhinasto, pasi ritheksoi mbështetjen e plotë të vendit tonë për punën dhe aktivitetin e RCC-së, nënvizoi nevojën e avancimit të projekteve rajonale, veçanërisht në fushat prioritare si transporti, energjetika, lufta kundër krimit të organizuar, krijimi i kapaciteteve të administratës publike, etj. Është koha, tha z. Haxhinasto, që bashkëpunimi politik të përkthehet në aktivitete dhe projekte konkrete, që sjellin më pranë vendet dhe njerëzit në rajonin tonë.

Bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi i frytshëm në Europën Juglindore nuk mund të realizohet pa përfshirjen dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në aktivitetet dhe projektet rajonale, të cilat zhvillohen në kuadër të RCC-s, por edhe të nismave të tjera në rajon.

Z. Haxhinasto dhe z. Bishcevic shkëmbyen mendime për një koordinim më të mirë të punës ndërmjet Ministrisë së Jashtme dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që ka filluar zyrtarisht nga puna në shkurt të vitit 2008, duke zëvendësuar Paktin e Stabilitetit, është struktura kryesore që promovon e koordinon bashkëpunimin rajonal të vendeve të Europës Juglindore dhe hapat e tyre drejt integrimit në strukturat Europiane e Euroatlantike.