Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 10:05

Prishtinë – Zv/kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, tha sot në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, se
“Shqipëria vlerëson se Kosova duhet të jetë sa më parë pjesë e të gjithë iniciativave rajonale, pasi në themel të këtyre iniciativave ka qenë bashkëpunimi midis njerëzve, bashkëpunimi i tyre për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të arritur një nivel, një standard të bashkëpunimit të dialogut të politikanëve, të elitave politike e të përfaqësuesve të zgjedhur të vendeve të rajonit për t’u kualifikuar për integrime të mëtejshme në BE”.

Prandaj, tha shefi i diplomacisë shqiptare, një nga objektivat, një nga detyrat kryesore që ne kemi për sa i takon mbështetjes sonë për Kosovën, është integrimi sa më shpejt i saj, pjesëmarrja sa më shpejt e saj në nismat rajonale.

Haxhinasto tha se në takimin me homologun e tij kosovar “trajtuam gjithë problematikat që kemi në marrëdhëniet e agjendës dypalëshe, të cilat synojnë drejt integrimit të shpejtë midis dy vendeve tona në fushën ekonomike, në fushën e infrastrukturës, bashkëpunimin në fushën e energjisë, bashkëpunim dhe integrim, të cilin  dëshirojmë ta shtrijmë me gjithë vendet e rajonit pasi kjo është rruga e vetme për të shkuar sa më shpejtë në Evropë”.

Gjithashtu, u shpreh Haxhinasto, “diskutuam mbi procesin e rëndësishëm të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe përshëndesim vendimin e marrë për hartimin e një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Në këtë kontekst ai mirëpriti me shumë kënaqësi diskutimin që bëhet  për një marrëveshje të re shumë kontraktuale mes Kosovës me Bashkimin Evropian që të rimbarkojë Kosovën në mënyrë shumë të qartë dhe konkrete në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Duke u ndalur në situatën  në veri të Kosovës, shefi i diplomacisë shqiptare tha se “ne dëshirojmë si Republikë e Shqipërisë, që procesi i dialogut të vazhdojë, që marrëveshjet e konkluduara të zbatohen, që kurrkush të mos e përdorë procesin e dialogut si një pasaportë për të hedhur një hap tjetër drejt BE-së dhe ju e keni shumë të qartë për kë jam duke folur”.

Ai tha se marrëveshjet e arritura duhet domosdoshmërisht të realizohen, pasi kështu i shërbehet thellimit të procedurave për dialog dhe në fund të fundit i shërbehet dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

Një çështje e fundit e diskutuar, por jo nga rëndësia, madje do të thoja nga më të rëndësishmet, u shpreh zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, “është integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht, njohja e pavarësisë së saj nga shtete të tjera”.

Ai shprehu besimin se pas njohjes nga 85 shtete deri më sot “me punë të fokusuar e të koordinuar, jam i bindur se do të ecim më ritme të tjera në ditët në vazhdim”.