Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 15:32

Tiranë (PLOTESUAR 7 prill, 13:35)- Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar sot në lidhje me disa keqinterpretime që i janë bërë fjalës së Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, në një intervistë në median elektronike, lidhur me zgjidhjen e problemit të ndalimit në kufirin Shqiptaro-Grek të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë të shkruar në dokumentat e udhëtimit “Vendlindja: Çamëri”.

“Ministria e Punëve të Jashtme, me evidentimin e ketij problemi, ka marrë kontakte të menjëhershme me ambasadën greke në Tiranë, ka protestuar, dhe ka kërkuar shpjegime se pse qytetarët shqiptarë ndalohen në kufirin grek”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ajo bëri të ditur se nga ambasada greke është dhënë sqarimi që toponimet zyrtare të Greqise, të depozituara nga ana e saj në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare, nuk e përfshijnë këtë term.

“Këtë qëndrim e praktikë, Greqia e ka realizuar edhe me vende të tjera fqinje të saj, më të cilët ka bërë më pas marrëveshje dypalëshe”, sqaron MPJ. MPJ ka kërkuar që për këtë kategori personash të realizohet një marrëveshje me palën greke me qëllim që ata të mos ndalohen në kufi dhe të kenë të drejtën të lëvizin lirshëm në territorin e Republikes Greke, vijon reagimi i MPJ-së.

Në reagim theksohet se Ministria e Punëve të Jashtme ka patur kontakte të vazhdueshme edhe me lidershipin e PDIU. “Theksojmë me forcë se diskutimi për vendosjen e emrit të vendit “Çamëri” në dokumentat e udhëtimit të qytetarëve shqiptarë të lindur atje, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë lidhje me qëndrimin e Ministrisë së Jashtme apo të shtetit shqiptar në lidhje me Çamërinë, komunitetin çam apo të drejtat e tyre legjitime”, viojn reagimi i MPJ-së.

MPJ shpreh keqardhjen për çdo përpjekje, manipulim apo politizim të kësaj çështje, për qëllime të pastra populiste. “Pavarësisht nga këto manipulime dhe goditje të tilla të pabaza e ilegjitime, MPJ do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesat e gjithë qytetarëve shqiptarë, levizjen e tyre të lirë, të drejtat që u garanton ligji kombëtar dhe ai ndërkombëtar, si dhe do të vazhdojë të rrisë parreshtur emrin dhe prestigjin e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë”, përfundon reagimi i MPJ-së.

 ************************

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në një intervistë me Alfred Pezën në Vizion Plus, thotë se Çamëria nuk ekziston në toponimet greke.

I pyetur për kthimin e qytetarëve çamë në kufi, Haxhinasto tha: “Sigurisht që ne jemi përpjekur që kjo problematikë të zgjidhet, kjo problematikë vazhdon të ekzistojë pasi ka të bëjë me mënyrat e caktuara të shkrimit të toponimeve në dokumentet tona zyrtare, por sigurisht kjo çështje zgjidhet nëpërmjet dialogut, komunikimit. Pala greke ka shprehur qëndrimin se ajo njeh atë toponim që është paraqitur në formë zyrtare nga ana e saj në OKB. Në këtë listë që është paraqitur në OKB prej 10 vitesh nuk ekziston fjala Çamëri dhe ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje në mënyrë dypalëshe”.

I pyetur për faktin se peshkatarët e Sarandës po bllokohen nga marinarët grekë dhe po gjobiten për shkelje kufiri, ministri i Jashtëm tha se gjithçka di është ajo që ka parë në media (?!).

Haxhinasto tha se partia e çamëve nuk ka bërë asnjë kërkese për këtë çështje, edhe pse PDIU doli në një konferencë për shtyp për diçka të tillë. Ministri i Jashtëm tha se nuk kanë nisur negociatat për ndarjen e detit me Greqinë.

Ai deklaroi se po hartohet një kuadër ligjor për të shmangur bllokimin që u bën presidenti kandidaturave për në ambasada.

Haxhinasto tha se po punohet për një ligj që do i bëjë më fleksibël emërimet në ambasada. Në këtë mënyrë do kenë dorë të lirë të emërojnë njerëzit e tyre, siç ka ndodhur deri më tani.