Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 08:00

Tiranë-Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto deklaroi të hënën në mbrëmje se procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian nuk duhet të cënohet nga interesa të caktuara partiake.

“Ky proces duhet të vazhdojë të jetë i rëndësisë supreme për politikën shqiptare dhe nuk duhet të cënohet nga politika dhe nga interesa të caktuara partiake”, tha Haxhinasto gjatë një interviste në një nga mediat vizive në vend.

Sipas tij, kjo është një çështje që shkon përtej interesit politik dhe partiak të ndonjë force politike. “Është e domosdoshme që procesi i integrimit europian të trajtohet si interes kombëtar i përbashkët me të cilin nuk mund kompromentohen situata apo kriza me qëllim që të avancohen këto axhenda partiake”, tha ai.

Duke e konsideruar anëtarësimin në BE si një obligim madhor ndaj qytetarëve shqiptar, Haxhinasto u shpreh se, ashtu siç patëm eksperiencën pozitive në procesin e liberalzimit të vizave, duhet të fillojmë të ndjejmë ato realitete të reja që sjell avancimi më tej si anëtarë të BE-së

Haxhinasto theksoi se se ka zhvillime pozitive përsa i takon plotësimit të këtyre detyrimeve veçanërisht përsa i përket dinamikës në komisionin e reformës zgjedhore, në grupin e punës për procedurat parlamentare dhe në trajtimin e disa ligjeve që kërkojnë mazhorancë të cilësuar në parlament.

“Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë, që fokusi mbi këto prioritete të jetë i qëndrueshëm dhe procesi të japë produkte konkrete, që më pas, do të na kualifikojë me statusin e vendit kandidat”, tha ndër të tjera ai.

Haxhinasto nënvizoi se ky është një vit shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh edhe situatat në Evropë, prandaj angazhimi i plotë i të gjithë aktorëve politikë për të vendosur një dinamikë në këtë proces dhe për të arritur rezultate konkrete, duhet të jetë i pakushtëzuar, duhet të jetë suprem. (LajmeShqip.com)