Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 14:47

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u nis sot në Bruksel për të marrë pjesë në punimet e Takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së, takim i cili do të zhvillohet nesër.

Sipas zyrës së shtypit të MPJ-së, në takimin e tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, presidencës polake të BE-së si dhe zyrtarë të lartë të EEAS (Shërbimit të Jashtëm Evropian) do të diskutojnë me palën shqiptare mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian në vend.

Plotësimi i 12 prioriteteve të dala nga Opinioni i Komisionit Evropian, zbatimi i MSA-së midis Shqipërisë dhe BE, zhvillimet ekonomike në vend, politika e jashtme shqiptare si dhe zhvillimet në rajonin tonë, do të jenë midis çështjeve kryesore që do të trajtohen në takim.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të Komisionit Evropian dhe presidencës polake të BE.

Mbledhja e Këshillit të Stabilizim Asociimit i paraprin përgatitjes së Progres Raportit të BE për Shqipërinë, që pritet të publikohet në muajin tetor, teksa nga BE disa herë është theksuar se rifillimi i dialogut politik dhe përmbushja e 12 rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë janë rruga e vetme për t`u bërë pjesë e BE-së.