Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 09:17

Tiranë – Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, priti një grup parlamentarësh hollandezë, të cilët po vizitojnë Shqipërinë, në kuadër të një turi rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi zgjedhjet e 8 majit, duke theksuar s’e ato arritën standartet ndërkombëtare.

Ai nënvizoi se këto standarte do t’i japin një shtytje avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu, Haxhinasto i njohu parlamentarët hollandezë me progresin e madh që ka bërë Shqipëria në të gjitha fushat, duke përmendur reformat e ndërmarra në ekonomi, biznes, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, etj.

Më tej, Ministri Haxhinasto iu përgjigj interesimit të parlamentarëve për çështje të rajonit. Ai vuri theksin tek roli konstruktiv i Shqipërisë në rajon dhe kontributi i saj për thellimin e bashkëpunimit me vendet fqinje.