Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 14:47

Tiranë – Njohja pavarësisë së Kosovës dhe realitetet e reja që janë krijuar pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare ishin në qëndër të diskutimit gjatë takimit që zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot me zv/ministrin e Jashtëm të Republikës Arabe të Egjiptit për Çështjet Evropiane, Ahmed Amin Fathallah.

Në këtë takim, Haxhinasto i kërkoi Fathallah që Egjipti të rishikojë çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, veçanërisht pas vendimit të GJND-së dhe rezolutës së miratuar në Asamblenë e OKB.

Në përgjigje të kësaj kërkese, zyrtari i lartë i Egjiptit tha se vendi i tij po merr hapa praktikë lidhur me njohjen e Kosovës, që do të çojnë drejt vendimit përfundimtar.

Gjithashtu, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për forcimin i shkëmbimeve ekonomike dhe rritja e investimeve, ndërsa u ra dakord që në gjysmën e dytë të 2011 të organizohet komisioni i përbashkët dypalësh.

Ndërsa në një prononcim për mediat pas takimit, zv.kryeministri Haxhinasto bëri të ditur së “kemi rënë dakord për të përfunduar bazën ligjore të bashkëpunimit midis dy vendeve”.

“Kemi diskutuar gjithashtu për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për realitetet e reja që janë krijuar pas opinionit të GJND-së. Është e vertetë që Egjipti ka marrë disa hapa konkretë pas këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare, por vendimi përfundimtar do të merret në një periudhë të mëvonshme, për të cilën kemi diskutuar edhe me zv.ministrin Fathallai”, tha shefi i diplomacisë shqiptare.

Ai u shpreh se “Egjipti është një vend mik. Ne diskutojmë me të në mënyrën më të hapur, në mënyrën më konstruktive dhe jam shumë i sigurt që bashkëpunimi ynë do të intensifikohet shumë shpejt me dimensione të reja”.

Ndërsa zv.ministri i Jashtëm i Republikës Arabe të Egjiptit për Çështjet Evropiane, Ahmed Amin Fathallah, tha se “qeveria egjiptiane dëshiron dhe ka kënaqësinë të ndihmojë Shqipërinë ekonomikisht”.

“Ne kemi investitorë të mirë të cilët mund dhe duhet të vijnë në Shqipëri. Kur Shqipëria të organizojë në gjysmën e dytë të këtij viti Komitetin e Përbashkët Ekonomik, një numër i madh biznesmenësh nga Egjipti do të vijnë këtu bashkë me Ministrin egjiptian të Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, theksoi z.Fathallah.

Më tej, ai bëri të ditur se si zhvillimet e reja në Egjipt drejt demokracisë po prekin vendet e tjera dhe se si situata në Libi po ndikon në Egjipt dhe në vendet e tjera fqinje, p.sh. në Sudan. “Veç përpjekjeve të Egjiptit për të stabilizuar këta dy fqinje, një çështje tjetër e rëndësishme është dhe situata në Palestinë, për të cilën  Egjipti ka propozuar organiziminin e një Konference Ndërkombëtare për të marrë në shqyrtim zgjidhjen e çështjes palestineze, që të mos humbim më kohë”, nënvizoi zv.ministri i Jashtëm egjiptian.