Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 16:10

Tiranë – Zhvillimet në Libi dhe përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj çështjeje, ishte një nga temat qëndrore të punimeve në takimin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të  NATO-s, që u  mbajt në datat 14-15 prill në Berlin, Gjermani. 
Në këtë takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ndërsa ishin të pranishëm dhe ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës dhe vendeve që janë të angazhuara në Afganistan dhe Libi, si Australia, Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Katari, Korea e Jugut, etj.
Për situatën në Libi, Shqipëria kërkon zbatimin e plotë të rezolutave 1970 dhe 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të Konferencës së Londrës mbi Libinë, dhe mbështet operacionin “Unified Protector”.      
Shqipëria ka ofruar tashmë portet dhe aeroportet shqiptare si për operacione ushtarake, ashtu edhe ato humanitare. 
Po ashtu, Shqipëria do të ndihmojë edhe në drejtim të  ndihmës dhe asistencës humanitare për popullin libian.      
Gjate diskutimit mbi çarmatimin, mospërhapjen e armëve dhe pranisë ushtarake, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, theksoi se prezenca ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, duke përfshirë aspektet konvencionale dhe ato bërthamore, ka një rëndësi të veçantë për sigurinë në këtë kontinent e përtej tij. 
Në këtë kuadër, tha numri dy i qeverisë shqiptare tha se “ne përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për ruajtjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë”.
“Si një vend që aspiron të marrë së shpejti statusin kandidat, Shqipëria vlerëson rëndësinë e veçantë që ka partneriteti strategjik midis NATO-s dhe BE-së”, deklaroi Haxhinasto.
Sipas tij, BE mbetet një partner unik dhe esencial për Aleancën, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe partneriteteve edhe me vendet e tjera, veçanërisht mbi vendet e Ballkanit. 
Gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuese në operacionin ISAF në Afganistan, shefi i diplomacisë shqiptare përshëndeti fillimin e procesit të tranzicionit dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Misionit të Sundimit të Ligjit. Ai rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për suksesin e operacionit ISAF në Afganistan. 
“Shqipëria është e bindur se krijimi i kapaciteteve kualifikuese mbetet një element i rëndësishëm i tranzicionit në Afganistan dhe për këtë vendi ynë do të kontribuojë me oficerë për trajnimin e policisë dhe ushtrisë afgane.Ky kontribut do të vazhdojë dhe do të shihet mundësia e shtimit të tij në të ardhmen”, tha ministri.
Gjatë punimeve të Komisionit NATO-Gjeorgji, zv/kryeministri Haxhinasto ritheksoi mbështetjen për aspiratat integruese të Gjeorgjisë në NATO dhe integritetin territorial të vendit, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e deritanishëm të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në operacionet e Aleancës.