Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 11:57

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjeratë në Universitetin AAB-RIINVEST, ku ka prezantuar prioritetet e zhvillimit ekonomik të Kosovës, për vitet 2011-2014.

Ai, duke folur para studentëve dhe profesorëve, ka deklaruar se ky plan, do ta ndihmojë vendin tonë në përmirësimin e jetesës dhe, gjithashtu, do ta modernizojë shtetin tonë dhe bazohet kryesisht në reformat në sektorin privat.

Thaçi ka theksuar se kjo platformë reformatore është pjesë e planprogramit të qeverisë dhe ky plan, sipas tij, është përkrahur dhe votuar nga qytetarët e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit, ka folur po ashtu për premtimet që i ka dhënë, duke ripërsëritur si sukeses rritjen e pagave për shërbyesit civilë.

Thaçi ka prezantuar edhe projektet e qeverisë së tij, duke cekur investimet në bujqësi dhe arsim si dhe përmirësimin e mjedisit afarist.

Kryeminstri Thaçi, është shprehur i bindur se Kosova ka kapacitete që t’i realizojë këto prioritete, edhe pse. sipas tij. nuk është një rrugë e lehtë, por. siç është shprehur ai, “bashkërisht do ia dalim”.

I pari i qeverisë ka folur edhe për austostradën, duke thënë se do të jetë autostrada më moderne në rajon.

Ndër të tjera, Thaçi ka përmendur si prioritete të qeverisë, zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit dhe mirëqenien e qytetarëve.