Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 14:08

Prishtinë- “Rezoluta 1244 është e tejkalueshme, ndërsa shteti sovran dhe i pavarur i Kosovës është i përjetshëm”, theksoi sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar se pavarësia është kompromisi që ka bërë Kosova në bisedimet e udhëhequra nga emisari special i OKB-së, kryenegociatori për statusin, Marti Ahtisaari.

Paketa Ahtisaari, rezultat i negociatave dhe marrëveshjeve të Prishtinës zyrtare me faktorin ndërkombëtar, është baza e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës para katër vitesh, më 17 shkurt 2008.

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, i cili dy ditë më parë në seancë të jashtëzakonshme ka miratuar Rezolutën për Përfundimin e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë, kryeministri Thaçi ritheksoi zotimin për kryerjen e detyrimeve që dalin nga kjo rezolutë, për konsolidimin e shtetit të ri evropian dhe përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarsisë.

Ai siguroi se angazhimi kosovar do të jetë i plotë për progresin e dialogut me Serbinë, duke punuar gjithmonë në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Thaçi siguroi se vendimet që janë marrë në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të respektohen plotësisht.