Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 22:57

 Prishtinë-“Propozimi për dialog shtesë është i papranueshme për Kosovën”, tha sonte kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri Thaçi e quajti propozimin e ri të ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt, që kërkoi edhe dy tryeza bisedime lidhur me veriun e Kosovës, “ide të tejkaluar dhe të papranueshme”.

“Kosova ka dialogur me komunitetin ndërkombëtar tri vite në Vjenë për statusin politik. Pavarësia e Kosovës është shpallur në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani Kosova është konsoliduar dhe po forcohet si shtet”, theksoi ai.

“Edhe Suedia ka qenë pjesë e atyre negociatave për statusin politik dhe e ka njohur Kosovën si të pavarur dhe sovrane. Prandaj është një ide e tejkaluar, plotësisht e papranueshme për Kosovën dhe e parealizueshme”, theksoi kryeministri Thaçi.

Në një letër që shefi i diplomacisë suedeze ia ka dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, dhe komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, insistohet që veriu i Kosovës sot është më i ndarë se çka qenë ndonjëherë më parë, dhe se si pasojë, BE-ja tani ndodhet përpara një sfide të dyfishtë: të insistojë në refuzimin e ndarjes së Kosovës, por edhe të jetë realiste rreth zgjidhjes për veriun.

Në letër, Bildt kërkon që dialogu në Bruksel të modifikohet për të adresuar veriun e Kosovës “përtej çështjeve të ngushta teknike”.