Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 23:00

Has – Masivet pyjore përgjatë kufirit Shqipëri – Kosovë janë bërë si prona pa pronar, që gjithkush mund t’i presë për interes të tij. Kjo pasi mungon kontrolli ndaj kësaj pasurie, jo vetëm nga specialistët e ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor, por edhe nga vetë banorët e fshatrave afër kufirit, që për arsye përfitimi vazhdojnë fushatën e prerjes së pyllit edhe në stinën e verës.

“Është një problem që duhet vënë në qendër të vemendjes së pushtetit vendor, veçanërisht në komunën tonë që ka një shtrirje të gjerë të kufirit në territorin tonë”, thotë kryetari i sapozgjedhur i komunës së Golajt, Zenel Kastrati. Sipas tij, për këtë do të bashkëpunohet me komunitetin, por edhe me policinë pyjore këtej e matanë kufirit.

Mungesa për shumë kohë e kontrollit efikas ka bërë që rastet e prerjes së lëndës drusore, për arsye të ndryshme, të vijnë duke u shtuar, edhe pse në ndonjë rast ka patur vënie gjobash nga policia pyjore, por pa ndonjë efektivitet, pasi është bërë e zakonshme që gjobat të mos mblidhen, pra janë bërë të paefektshme. Është kjo arsyeja e rritjes së shqetësimit të specialistëve të ndërmarrjes së pyjeve e të pushtetit vendor, në kushtet e vazhdimit të dëmtimit të pyjeve edhe në këtë periudhë.

Në realitet fenomeni i dëmtimit të pyjeve në masivet pyjore, që ndodhen në dy anët e kufirit nuk është një i risi. Prej vitesh, banorët nga të dy anët e kufirit, presin lëndën drusore të njëri- tjetrit. Kjo edhe për faktin se ende kufiri mes dy vendeve nuk është i përcaktuar saktësisht, siç ndodh me fshatin Dobrunë, i cili është i ndarë thuajse më dysh nga kufiri. Po ashtu, shumë pranë kufirit ndodhen edhe fshatrat Letaj e Pogaj, etj. Problemi është i njohur, aq sa fshatrat pranë kufirit kanë edhe sot e kësaj dite toka bujqësore e pyje matanë kufirit, që pas mbarimit të konfliktit, të paktën pyjet, i konsiderojnë si pronë të askujt ndaj edhe i shfrytëzojnë pa kriter.

Është kjo arsyeja që banorët e të dy anëve të kufirit presin lëndë drusore në afërsi të kufirit, që edhe nëse ndalohen nga policët respektivë të kufirit, dënohen vetëm me një gjobë, që gjithsesi është e vogël për dëmin që kryhet gjithnjë e më tepër në masivet pyjore afër kufirit.