Has – Rritja e kërkesës për dru zjarri ka bërë që të shtohet ndjeshëm prerja e lëndës drusore nga persona që nuk janë të liçensuar nëe rrethin e Hasit. Prerja e druve të zjarrit pa asnjë lloj kriteri, veç atij të përfitimit të menjëhershëm të tregtarëve, ka shkaktuar rritjen e dëmtimeve të masivëve pyjorë, veçanërisht atyre pranë rrugëve automobilistike.
Gjithsesi, kalimi i 90 përqind të pasurisë pyjore në përdorim të komunave, ka ulur ndjeshëm dëmtimin e masivëve pyjorë që realizohej në këtë periudhë në vitet e mëparshme. “Në këtë periudhë është rritur dëmtimi i pasurisë pyjore, por jo në ato nivele që ishte ky tregues në vitet e tjera”, thotë drejtori i ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit, Kadri Ahmati. Sipas tij, në këtë rreth nuk operon asnjë firmë e liçensuar, ndërsa nga komunat nuk është organizuar asnjë tender për tregtinë e druve të zjarrit. Kjo ka sjellë që tregtimi i druve të zjarrit të kryhet nga persona të paliçensuar, ndaj të cilëve nuk ushtrohet asnjë lloj kontrolli.
Për minimizimin e pasojave negative të këtij fenomeni nga policia pyjore po ushtrohet kontroll i vazhdueshëm në të tre sektorët pyjorë të rrethit. Shqetësim mbetet fakti se gjobat e vëna vilen me vështirësi, pasi një gjë të tillë duhet ta kryejë pushteti vendor, që përgjithësisht neglizhohet. Kjo ka bërë që tregtarët e paliçensuar të vazhdojnë tregtinë të pashqetësuar. Një fenomen i tillë vërehet në fshatrat e rrethit të Hasit që janë pranë qytetit të Kukësit si, Myc Has, Gjinaj etj.
Rrethi i Hasit përfshin një sipërfaqe pyjore prej 22 mijë ha dhe 3000 ha kullota.