Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 11:49

Has – Investimet që kanë qenë në rritje nga viti në vit e kanë ndryshuar jo pak qytetin e Krumës, veçanërisht në drejtim të infrastrukturës. “Qyteti ka ndryshuar thuajse tërësisht në krahasim me katër vite më parë si rrjedhojë e investimeve në rritje që janë kryer nga buxheti i shtetit”, thotë kryetari i bashkisë Bardhyl Peka.

Sipas tij, investimet me tendencë rritjeje po zbatohen edhe gjatë këtij viti, ku veçohet vazhdimi i punimeve për rikonstruksionin tërësor të aksit rrugor Krumë – Kukës me një fond prej 15 milion euro. Ndërsa vetëm për lotin e parë rreth 6 kilometra të gjatë është shpenzuar një fond prej 27,66 milion lekë. “Tashmë janë tenderuar të gjitha lotët e këtij aksi rrugor dhe pritet që të fillojë menjëherë puna me synim që të gjitha punimet të përfundiojnë vitin e ardhshëm”, thotë Peka.

Po ashtu, po rikonstruktohet tërësisht ujësjellësi i qytetit si dhe po ndërtohet ujësjellësi i Gajrëpit me një fond prej 20 milion lekësh financuar nga PND-i.

Ndërkohë, janë përshpejtuar ritmet e punës për ndërtimin e shkollës së re 9 vjecare në qendër të qytetit, ndërsa tregu i ri i lirë i ndërtuar me një fond prej 63 milion lekësh është vënë tashmë në shërbim të konsumatorit.

Po ashtu, ka përfunduar rikonstruksioni tërësor i aksit rrugor Cahan – Mujaj me një gjatësi prej 3,5 kilometrash me fond të akorduar nga MADA, gjë që bën të mundur shfrytëzimin e kësaj zone nga turizmi malor, kur dihet se pranë kësaj zone ndodhen 4 shpella nëntokësore me stalakmide e stalaktide që kanë tërhequr jo pak vizitorë.

Këto janë vetëm disa prej investimeve të sapopërfunduara, apo që janë në proces. “Investime të tjera të rikonstruksionit të rrugëve të qytetit e të ndricimit të tyre, të ngritjes së lulishteve etj, po zbatohen gjatë këtij viti me fonde të pushtetit vendor”, thotë Peka.

Pozitiv eshte fakti se investimet në këtë zonë janë të vazhdueshme, gjë që ka bërë që komuniteti të mos i konsiderojë këto si investime të fushatës elektorale, por si investime në vijimësi.