Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 10:50

Tiranë-Deputeti i Partisë Socialiste Andis Harasani ka dhënë dorëheqjen nga posti që iu dha dje nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Në një njoftim të shkurtër në rrjetin social “Facebook”, Harasani shkruan se për shkak të planeve të tjera që ka, nuk mund të pranojë detyrën në PS.

“Të dashur miq, për arsye të planeve të tjera, duke falënderuar për besimin nuk mund ta pranoj detyrën e ofruar nga ana e Asamblesë së PS. I uroj suksese të gjithë të votuarve”, shkruan Harasani në adresën e tij personale në rrjetin social. Deputeti Harasani u caktua dje nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, në Grupin e Punës për Energjinë, bashkë me 20 deputetë dhe përfaqësues të PS-së në grupet e tjera. Ndërkohë që për më shumë se 4 vite, Harasani ka qenë pjesë e Kryesisë së PS-së konkretisht Sekretar për Programin.

Gjatë mbledhjes së djeshme kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi, u rizgjodh sërish në postin e kreut të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Ndërsa Asambleja e cili zgjati deri në orët e vona të së premtes zgjodhi 17 emrat e rinj të kryesisë së asamblesë dhe 9 sekretarët ekzekutivë. Në listën e kandidatëve që u propozuan nga Rama që në fillim të mbledhjes u vu re mungesa e Kastriot Islamit dhe e Andis Harasanit, ashtu siç pritej, pas marrëdhënieve të përkeqësuara që pas zgjedhjeve të vitit 2009. (LajmeShqip.com)