Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 10:53

Tiranë – Deputeti socialist, Andis Harasani i drejton kritika kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama për humbjen në garën elektorale për Bashkinë e Tiranës.

Në një shkrim të publikuar të hënën në të përditshmen shqiptare “MAPO”, deputeti Harasani beson se humbja më 8 maj erdhi si pasojë e vet kryesocialistit.

“Kam bindje që është paaftësia e drejtuesit të PS-së që ka çuar në humbjet e kësaj force politike dhe çdo të keqeje tjetër”, shprehet ai.

Deputeti socialist, i njohur për kritikat e vazhdueshme ndaj kryetarit të opozitës, arsyeton se një njeri që nuk ka mundur të rregullojë shtëpinë e tij, nuk mund të rregullojë shqiptarët. “Pa rregulluar shtëpinë nuk mund të rregullosh asgjë”, thotë Harasani.

Ai shpreh mosbesim që Rama me punën e tij mund ta bëjë PS-në një forcë fituese, ndërsa uron që këtë ta ketë kuptuar dhe ai vetë. “Mendoj që të gjithë tani e kanë kuptuar që nuk e bën dot ai. Shpresoj ta kuptojë edhe vetë më së fundmi”, citohet deputeti socialist.

Megjithatë, Harasani nuk mbetet vetëm në kuadrin e konstatimeve apo të akuzave, pasi bën të ditur se ai së bashku me njerëz të tjerë, që mendojnë si ai, do të bëjnë përpjekje që kjo situatë të mos qëndrojë kështu dhe PS të shpëtojë.

“Po do ta bëjmë! Dhe nëse s’ia dalim, rëndësi ka që do të përpiqemi. Nuk jemi pak”, shprehet Harasani në shkrimin e publikuar të hënën në të përditshmen shqiptare.