Lajme Shqip Tuesday, 05 March 2013 17:57

Prishtinë – Lufta në mes partnerëve të koalicionit PDK dhe AKR për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, nuk po i pëlqen Astrit Haraqisë nga Lista Ibrahim Rugova që po ashtu është pjesë e qeverisë.

Bile, Haraqia ka një përshkrim interesant për atë që po ndodhë ditëve të fundit në mes këtyre dy partive.

“Qeveria po duket sikur çerdhe e fëmijëve, ku fëmijët përlahen në mes veti për një lodër”, ka thënë Haraqia për Indeksonline.

Ai po konsideron se partia e Behgjet Pacollit është duke shantazhuar koalicionin qeveritar.

E nëse nuk ndalen këto shantazhe të Pacollit, Lista Ibrahim Rugova paralajmëron që qysh këtë javë do të tërhiqet nga koalicioni.

“AKR-ja ka vetëm tre deputet në parlament, ndërkaq në qeveri ka dy poste të zëvendëskryeminsitrave, ministra, zëvendësministra e ambasador. Kështu nuk ka askund në botë”, vlerëson Haraqia.

Ai shton se Lista Ibrahim Rugova nuk është e interesuar për ministri të reja, por angazhohen për të mirën e institucioneve shtetërore.

Për Haraqinë është e pakuptimtë se në kohën kur opozita po kërkon të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, ndërkaq AKR interesohet vetëm për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Këtë po e bënë vetëm për interesa të biznesit të vet”, thotë ai.

Madje, përfaqësuesi i Listës Ibrahim Rugova konsideron se Pacolli ka dështuar edhe në fushatën e lobimit për njohje të Kosovës.(I.O/LajmeShqip.com)