Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 14:01

Prishtinë – Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës, do të dalë nesër para trupit gjykues në Hagë, në procesin e rigjykimit të pjesëshëm të tij. “Pritjeve tona u erdhi fundi”, deklaroi partia e tij sot në një konferencë shtypi, e bindur për pafajësinë e Haradinajt.

“Gati 13 muaj pasi Ramush Haradinaj, Kryetari i AAK-së dhe Komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, shkoi prapë në Hagë, për të marrë vesh që do të duhet sërish të fitojë pafajësinë e kumtuar më 3 prill të vitit 2008, po fillon rigjykimi i pjesshëm i tij dhe i dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt”, tha nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala.

Ai shtoi se “pritja e gjatë, ka bërë që ne, në AAK, por edhe qytetarët e Kosovës, të përcjellin me shqetësim përgatitjet për nisjen e këtij rigjykimi të pjesshëm”.

Shala përkujtoi se këtë vjeshtë bëhen shtatë vjet të plota që kur Ramush Haradinaj është peng i këtij procesi që ende nuk ka marrë fund dhe theksoi se “është shumë për një njeri dhe shumë për një politikë dhe për një shoqëri”.

“Mungesa e tij në politikën kosovare po vërehet gjithnjë e më shumë. Kthimi i tij në Kosovë, shpresojmë, në vjeshtën e këtij viti, do të shënojë hapin e parë, kyç gjithsesi, në kthesën e madhe politike për Kosovën, e cila është e domosdoshme, nëse duam t’ia kthejmë të mirën dhe të mbarën atdheut tone”, u shpreh ai.

“Jemi të sigurt që drejtësia do të ngadhënjejë edhe një herë, dhe që Ramush Haradinaj do të shpallet sërish i pafajshëm në Tribunalin e Hagës”, tha Shala.