Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 11:17

Prishtinë-Daut Haradinaj thotë se duhet përdorur edhe forcën për zgjidhjen e çështjes së Veriut. E për këtë, sipas deputetit të AAK-së, Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare është në anën e institucioneve të Kosovës. Në një intervistë për Express, Haradinaj flet edhe për raportet e partisë së tij me PDK’në. Thotë se do ta mbështesin 1everinë në agjendat nacionale, derisa pohon se AAK’ja dhe PDK’ja nuk janë në armiqësi me njëra-tjetrën.

I pyetur se pse AAK nuk e përkrahu nismën e Vetëvendosjes për një seancë të jashtëzakonshme, Haradinaj tha se qëndrimi i partisë ka qënë mëse i qartë.

“Kemi thënë se nuk është koha për folklorizëm, por është koha për veprime. Ne kemi thënë se do t’i mbështesim institucionet për të vepruar në Veri, ndërsa nuk jemi ithtarë shumë të debateve, sepse mendoj se janë shterur debatet dhe kërkohet më shumë veprim”-u shpreh Haradinaj.

Ndërsa lidhur me mundësinë e afrimit mes AAK dhe PDK, Haradinaj tha se Aleanca e ka programin e vet, platformën e vet edhe është duke u përgatitur për t’i fituar zgjedhjet nacionale.

“Ne nuk jemi armiq dhe ne i respektojmë dhe i vlerësojmë institucionet e Kosovës, ndërsa jo figurat e partive politike. Çdokush që nderon dëshmorët dhe heronjtë, e ka për obligim aq më tepër kur janë përgjegjës të institucioneve. Ne nuk jemi armiq, por jemi rivalë politikë”-u shpreh Haradinaj.