Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 13:32

Hagë-Avokatët e Ramush Haradinajt kanë kërkuar nga gjykatësit e Gjykatës së Hagës që Haradinaj të lirohet përkohësisht gjatë pushimit dimëror të Gjykatës. Ata kanë kërkuar që Haradinaj të kthehet në Prishtinë prej 16 dhjetorit deri më 8 janar 2012.

“Zoti Haradinaj kërkon pushim të përkohshëm nga 16 dhjetori deri më 8 janar, sipas kushteve të propozuara ose siç urdhëron Dhoma e Gjykatës”, thuhet në kërkesën e avokatëve të Haradinajt, siç raporton KosovaTimes. Në këtë shkresë, avokatët kanë dhënë një varg arsyesh se përse duhet të aprovohet kërkesa e Haradinajt që të kthehet tri javë në shtëpi. Vitin e kaluar Haradinajt i është refuzuar një kërkesë e ngjashme për lirim të përkohshëm, me arsyetimin se mund të paraqesë kërcënim ose rrezik për ndonjë dëshmitar.  

Tani avokatët kanë theksuar se të gjithë dëshmitarët që kanë pasur të dëshmojnë në rigjykim, e kanë bërë këtë dhe e kanë përfunduar dëshminë e tyre. “Pra, rrethanat tani kanë ndryshuar. Arsyeja për ta refuzuar lirimin e përkohshëm të zotit Haradinaj nuk ekziston më”, thuhet në shkresën e avokatëve.

Ndryshe, gjykimi ndaj Ramush Haradinajt është shtyrë deri më 13 shkurt të vitit të ardhshëm, kur pritet të dëshmojë një dëshmitar i mbrojtur. Mbrojtja thotë se Haradinaj ka qëndruar shumë gjatë në paraburgim, mbi 16 muaj dhe i kërkon gjykatës që edhe këtë ta marrë parasysh.

“Periudha e shkurtër e lirimit do t’i mundësojë zotit Haradinaj të kalojë një kohë me gruan dhe familjen e tij, përfshirë djalin e tij që ka lindur derisa Haradinaj ndodhej në paraburgim.Poashtu do t’i mundësojë ta shohë babanë e vet, i cili nuk është mirë me shëndet”, thuhet më tej. Avokatët e kanë siguruar gjykatën se gjatë lirimit të përkohshëm, Haradinaj do të qëndrojë vetëm në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike dhe as nuk do të përfshihet në ndonjë aktivitetet politik publik. (lajmeShqip.com)