Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 15:10

Tiranë – Pesë ditët e para të hapjes së sheshit “Skënderbej” kanë reflektuar në lehtësimin e trafikut dhe rrjedhimisht disi edhe në përmirësimin e disa treguesve që lidhen me cilësinë e ajrit.

Eksperti i çështjeve të mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Agron Deliu, gjykon se hapja e qendrës së qytetit do të ketë ndikime pozitive. “Rritja e shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve në qytet, shkakton më pak gazra në ajër. Presim që rezultatet që do të dalin këto ditë nga monitorimi i vazhdueshëm i cilësisë së ajrit, të jenë disi më pozitive për treguesit që lidhen me trafikun”.

Monitorimi i cilësisë së ajrit në Tiranë kryhet nga dy pika të instaluara pranë Poliklinikës Qendrore dhe në mjediset e ISHP-së në periferi të qytetit, të cilat janë të çertifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për efekt të trafikut më intensiv se sa qytetet e tjera, Tirana ka përmbajtje më të larta gazesh në ajrin urban.

Përmbajtjet e përafërta të grimcave  PM 10 e PM 2.5 tregojnë se një  pjesë e konsiderueshme e ndotjes së ajrit shkaktohet nga risuspendimi i grimcave të papastërtive te rrugëve.

Sipas Deliut, masat e nevojshme teknike për përmirësimin e ajrit urban duhet të synojnë fillimisht kontrollin dhe optimizimin e trafikut në qytet, përmirësimin e pastrimit të rrugëve, fuqizimin dhe modernizimin e transportit publik, kontrollin efektiv të cilësisë së karburanteve dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra urbane nga 3 në minimumi 10 metra katror për banorë.

“Secila prej këtyre masave kërkon mbi të gjitha një vullnet politik të institucioneve lokale dhe qendrore me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit që thith çdo qytetar i Tiranës”, vuri në dukje Deliu.

Katër vite më parë OBSH organizoi takimin e parë mbi Planin e Veprimit për të Pakësuar Ndotjen e Ajrit në Tiranë. Nga ai Plan Veprimi, sipas ekspertëve të mjedisit, pak është realizuar, sepse përpjekja për pakësimin e ndotjes së  ajrit  nuk është thjesht retorikë politike. Ajo duhet të jetë komplekse, profesionale, e monitoruar si duhet  dhe e koordinuar mirë mes disa aktorësh kryesorë, si Bashkia e qytetit, Ministria e Mjedisit, ajo e Punëve Publike dhe e Transporteve dhe Ministria e Shëndetësisë.

Të dhënat tregojnë se aktualisht ndotja e ajrit në Tiranë përafron me tipin e smogut fotokimik të Los Angelos-it. Ndotjes i janë shtuar emra të rinj indeksesh, si grimcat e imta (PM 2.5 e PM 1), ozon si dhe dyoksid azoti e benzen, kryesisht me origjinë trafiku automjetesh.

Kjo lloj ndotjeje, sipas Deliut, e klasifikon Tiranën në qytetet e zonës së rrezikut shëndetësor. Nga 35 ditë në vit të lejuara, sipas legjislacionit të KE për tejkalimin e normës ditore të PM 10 prej 50 µg/m3, në Tiranë kjo është në rreth 150 ditë në vit.

Monitorimi i cilësisë së ajrit në Tiranë,  duke filluar nga  muaji maj 2010 kryhet me stacione  bashkëkohore, dy prej të cilëve punojnë pa ndërprerje dhe transmetojnë të dhënat orare e momentale on line. Parametrat e monitoruar janë: grimcat me diameter më të vogël së 10 mikrometër (PM 10), grimcat me diametër me të vogël se 2.5 mikrometër (PM 2.5) dhe ato me diametër më të vogël se 1 mikrometër (PM 1), etj.

Ndotja e ajrit në Tiranë në periudhën  e ekonomisë  socialiste  ishte mjaft e afërt me tipin e ndotjes  së Londrës së viteve  ’50 të shekullit të kaluar. Lënda djegëse kryesore në qytet ishte druri dhe qymyr guri, që gjatë djegies çlironin sasi të konsiderueshme bloze. Po kështu përdorimi masiv i qymyr gurit nga ndërmarrjet industriale dhe kaldajat ishte shkaku kryesor i çlirimeve të konsiderueshme të dyoksidit të squfurit  në ajrin urban. Edhe pse ekzistonte një ligj i vitit 1973 për mbrojtjen e ambientit dhe një listë me vlerat kufij të lejuara të përmbajtjes së ndotësve kryesorë në ajrin e qendrave urbane, Tirana gjatë tërë periudhës së monitorimit të atëhershëm (1976-90) ka qenë me përmbajtje të konsiderueshme bloze në ajrin e vet, me një tejkalim prej rreth 20 – 30 % mbi normat e lejuara të kohës, ndërsa për propagandën e kohës Tirana ishte qyteti me ajër më të pastër në Evropë.

Monitorimi  i cilësisë së ajrit urban në Shqipëri  i ka fillimet e  veta në  vitin e largët  1976, kur prej ISHP-së, për herë të parë u matën grimcat totale, bloza dhe dyoksidi i squfurit në qendër të Tiranës dhe 3 pika të tjera (21 dhjetori, zona e banuar pranë uzinës Dinamo dhe zona e DSHP). Matjet kryheshin në formë fushatash dy javore.

Por qyteti i Tiranës ka njohur pas vitit 1990 rritjen më të shpejtë në historinë e vet. Numri i banorëve është rritur nga  250 mijë në rreth 800 mijë, ndërsa numri total i automjeteve është rritur nga  10 mijë në rreth 150 mijë.

Pjesa më e madhe e automjeteve përdorin  lëndë djegëse Dizel (rreth 80 per qind), ndërsa mosha e tyre mesatare është në masën e mbi 75 për qind me e madhe se 11 vjet. Shkarkimet në ajër të qytetit tani kryhen përgjithësisht në nivelin e frymëmarrjes së njerëzve.