Lajme Shqip Monday, 17 December 2012 15:53

PRISHTINE – Pjesëtarët e Policisë së EULEX-it i kanë penguar biznesmenët nga veriu i Kosovës që të bllokojnë pikëkalimin kufitar të Jarinjës, raportojnë mediat e Beogradit.

Ata kishin paralajmëruar ta bënin bllokimin në shenjë pakënaqësie përse nuk po zbatohet Marrëveshja për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, IBM. Policia e EULEX-it, e pajisur me mjetet komplete për shpërndarjen e demonstratave, në orën dhjetë bllokoi komunikacionin në Jarinjë, nga ana e Kosovës.

Sipas informatave, policia e EULEX-it vendosi tela me gjemba në rrugën Leposaviq – Rashkë dhe vendosi pengesa të tjera. Siç raporton KiM radio, në anën tjetër të telave gjembor ishin mbledhur disa qindra serbë.

Në Jarinjë, njoftohet se ndodhen pjesëtarët e Policisë së EULEX-it dhe të KFOR-it me mjete të blinduara dhe topa uji e gaz lotsjellës. Bllokada ishte paralajmëruar të zgjaste nga ora 10:00-12:00. (LajmeShqip.com)