Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 16:37

Prishtinë -Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Nënkryetarin për çështje të Jashtme të Parlamentit të Japonisë, Kazuyuki Hamada, në një takim ku u bisedua për aktualitetin politik në Kosovë, për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Japonisë dhe për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve.

Me këtë rast, Kryeministri Thaçi, sipas zyrës së tij, ka theksuar rëndësinë e miqësisë mes Kosovës dhe Japonisë dhe ka potencuar vlerat e përbashkëta që këto dy shtete i ndajnë.  Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Thaçi falëndroi z.Hamada për përkrahjen e vazhdueshme të Japonisë dhënë Kosovës, që nga periudha e pasluftës  deri në ditët e sotme.

Në këtë kuadër, Kryeministri shprehu mirënjohjen e Republikës së Kosovës për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Japonia, njohje kjo ndër të parat për shtetin e ri të Kosovës. “Sot me prezencën e tij, z. Hamada po e nderon Kosovën në ditën e rëndësishme dhe historike të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë”, u shpreh Thaçi.

Nga ana e tij, Nënkryetari për çështje të Jashtme të Parlamentit të Japonisë,  Kazuyuki Hamada, shprehu gëzimin e tij, që gjendet sot në Kosovë në këtë ditë historike të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë. Duke ritheksuar që mbështetja e Japonisë për Kosovën nuk do të mungojë, por vetëm do të thellohet më tej, z.Hamada shtoi se Japonia e konsideron Kosovën një shtet shumë të rëndesishëm në kontekstin rajonal.

Nënkryetari për çështje të Jashtme të Parlamentit të Japonisë, Kazuyuki Hamada, siguroi kryeministrin Thaçi se ndihma financiare dhe ajo zhvillimore nga ana e Japonisë për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)