Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 20:20

Tiranë – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, prezantoi zyrtarisht të martën drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave(AKKP), Avenir Peka. Peka, që mbante postin e zv/ministrit të Brendshëm, zëvendësoi në këtë detyrë Elvis Cefën. 

Gjatë ceremonisë, ministri Halimi tha se drejtuesi i ri i AKKP vjen në krye të këtij institucioni për të vijuar punën në implementimin e strategjisë për kthimin dhe kompensimin e pronave, që, sipas tij, “përfshin afate të qarta dhe ka objektiva të plota në përmbushjen e kërkesave të subjekteve ish-pronarë”.

Kjo strategji ka detyra shumë të rëndësishme që përfshijnë përfundimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve që janë në AKKP brenda qershorit të vitit të ardhshëm. AKPP parashikon gjithashtu të krijojë një regjistër elektronik me të gjitha vendimet e komisioneve të kthimit të pronave që nga viti 1993, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet të nisë kompensimi fizik i ish-pronarëve”, theksoi Halimi.

Gjithashtu, sipas tij, brenda këtij muaji Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me AKPP-në, me ekspertë ndërkombëtarë e shqiptarë, pritet të përfundojë hartën e re të vlerës, që do të jetë në përputhje të plotë me çmimet e tregut për 10 qarqet e para, për të vazhduar më pas dhe me qarqet e tjera. “Kjo do të plotësojë të gjithë kuadrin ligjor për t’i hapur rrugën kompensimit fizik të ish-pronarëve”, shtoi Halimi.(LajmeShqip.com)