Lajme Shqip Saturday, 03 August 2013 14:16

Durrës – Një 30-vjeçar nga Tirana, i cili ishte kthyer në tmerrin e pushuesve në plazhin e Gjirit të Lalzit, ka përfunduar në pranga. Ervis Berisha, pasi zinte “shoqëri” me personat që frekuentonin këtë plazh, u hapte makinat luksoze dhe vidhte paratë, celularët e shtrenjtë dhe sendet me vlerë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, bëjnë me dije se vetëm gjatë ditës së enjte, Berisha ka kryer tri vjedhje brenda 4 orëve. Pas denoncimeve të shumta të kryera nga shumë qytetarë, blutë e Durrësit në bashkëpunim me kolegët e tyre të Shijakut mundën të identifikonin dhe të arrestonin hajdutin profesionist nga kryeqyteti. Mësohet se Berisha u kap në flagrancë pasditen e së enjtes, gjatë operacionit të koduar “Kosovari”. 
OPERACIONI 
Sipas burimeve policore, Ervis Berisha, banues në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë, vidhte pushuesit potencialë, pra ata që mbërrinin në plazh me makina luksoze. Mësohet se 30-vjeçari ishte pajisur më një çelës egzagonal dhe pinca multifunksionale, me të cilat hapte dyert e makinave që bastiste. Ai hiqej si pushues kosovar dhe, sapo shikonte që “preja” e tij futej në det apo drekonte në restorant, shkonte tek vendi ku ishte parkuar automjeti, e hapte, dhe më pas vidhte çdo gjë me vlerë që kishte brenda tij. Bazuar në denoncimet e shumta të pushuesve për vjedhjet e kryera në plazhin e Gjirit të Lalzit, si dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia ka rënë në gjurmët e të riut.