Lajme Shqip Thursday, 12 September 2013 13:24

Tiranë – Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, do të prehet që nga sot në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pas ceremonisë së homazheve të organizuar nga Bashkia e Tiranës, që nisi sot rreth orës 10:00, eshtrat e liderit të dhjetorit do të zhvendosen nga Sharra drejt Varrezave të Dëshmorëve. 

Në ceremoni morën pjesë katër ministra të qeverisë ‘Rama’, ambasadorët e BE, OSBE dhe SHBA, deputetë të PD e aleatë të saj, ndërkohë që më pas nderoi figurën e Hadarit edhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Meta shoqërohej nga Luan Rama. Presidenti Bujar Nishani, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha kryen homazhet e rastit pak minuta para se koortezhi ti drejtohej Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Në ceremoni morën pjesë edhe kreu i Komunitetit Myslyman, Selim Muça dhe kreu i Kishës Katolike Imzot Rrok Mirdita, ish-presidenti Alfred Moisiu, si dhe deputetët e PS-së, Taulant Balla e Pandeli Majko.

 Azem Hajdari, Heroi i Demokracisë, mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit” dhe urdhrin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish–Presidenti Ibrahim Rugova. Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë. 

Vendimi për të rivarrosur Azem Hajdarin në Varrezat e Dëshmorëve u mor në datën 5 shtator dhe Bashkia Tiranë ngriti një komision të posaçëm pune që do të merrej pikërisht me ceremoninë që do të zhvillohet sot në prani të shumë personalitete të ftuara nga të gjitha trevat shqiptare. Azem Hajdari në dhjetor 1990 u vu në krye të lëvizjes studentore, kohë e cila shënon dhe fillimin e aktivitetit të tij politik. Në dhjetor 1990 – shkurt ai u zgjodh Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike. Në vitet 1991 – 1993 ishte nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues. Më 31 mars 1991 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën. Më 22 mars 1992 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun. Më 26 maj 1996 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën, 29 qershor 1997 – deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën, 1992-1996 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un, – nëntor 1996 – kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare, qershor 1997 – kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare, 1995 – 1998 – president i klubit të futbollit “Vllaznia” të Shkodrës dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale.

BASHA: AZEMI U VRA SE MPOSHTI FRIKËN, 
Ora 12:57 Kreu i PD-së njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mbajti një fjalë nderi në ceremoninë e organizuar në varrezat Dëshmorët e Kombit për rivarri8min e eshtrave të ‘Heroit të Demokracisë” , Azem Hajdari. 

‘15 vite më parë i dhamë lamtumirë tribunit dhe të djathtë të Sali Berishës, i cili mbrojti PD nga skenarët më të zinj të saj’, theksoi Basha. 

KORTEZHI DREJT VARREZAVE TË DËSHMORËVE 
Ora 12:26- Pas homazheve që zgjatën rret 2 orë e 30 minuta, arkivoli i liderit të dhjetorit Azem Hajdari iu drejtua Varrezave të Dëshmorëve që do të jetë prej sot edhe banesa e tij e fundit. 

NISHANI HOMAZHE PËR AZEM HAJDARIN 
Ora 12:20 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani kreu homazhet e rastit në nder të ‘Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari. Pasi nënshkroi në librin e kujtimeve presidenti u takua dhe me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe Sali Berishën. Presidenti nuk u prononcua për gazetarët pas homazheve teksa ka zgjedhur të përshëndesë me kortezi njerëzit të cilët ndodheshin jashtë Pallatit të Kongreseve. /BW/