Lajme Shqip Thursday, 25 October 2012 17:57

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se duhet të jemi realistë dhe nuk duhet të presim që Serbia ta njohë Kosovën brenda javësh apo muajsh. Pas takimit me  sekretarin e Jashtëm britanik, Uillaim Hejg, kryeministri ka thënë se përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të rezultojë me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së dhe me anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Kapitulli i konflikteve dhe problemeve të mëhershme në rajonin tonë po mbyllet dhe po hapet kapitulli i bashkëpunimit. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm edhe për gjithë rajonin, e jo vetëm për këto dy shtete”, ka thënë Thaçi.

Edhe diplomati britanik ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit të tij për Kosovën. Pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, Hejg ka thënë se është hapur një kapitull i ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Evropës, e që është shumë i rëndësishëm.

Hejg ka theksuar se vazhdimi i dialogut dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë është i rëndësishëm që të vazhdohet. “Duhet të bëhet përparim në të gjitha fazat. Në fazën e parë baronesha Ashton do të identifikojë disa fusha ku do të bëhen përparime. Ne gjithmonë kemi qenë shumë të qartë ndaj Beogradit dhe u kemi thënë se harta e  Ballkanit është e përfunduar. Jemi shumë të qartë para Serbisë dhe kjo do të vazhdojë”, ka theksuar ai .

Kryediplomati anglez mbrëmë është takuar me presidenten Atifete Jahjaga, së cilës ia ka rikonfirmuar mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj Kosovës dhe ndihmën në konsolidimin e shtetësisë së saj.(LajmeShqip.com)