Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 13:52

Prishtinë – Në Tribunalin e Hagës fillon sot rigjykimi i pjesëshëm i ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, ndërsa dje është mbajtur seanca statusore.

Rigjykimi i Haradinajt ndodh pas lirimit të tij nga aktakuza po nga kjo gjykatë, në vitin 2008.

Në reagimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të tjera shprehet besimi se Ramush Haradinaj do të shpallet i pafajshëm.

Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës për krime lufte urdhëroi më 21 korrtik të vitit të kaluar të ndalet në paraburgim Ramush Haradinaj dhe rigjykim për të dhe Lahi Brahimajn e Idriz Balajn. Bëhej e ditur se Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës kishte shfuqizuar vendimet e mëparshme.

Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës më 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës.

Më 9 qershor 2005, me vendim të Tribunalit të Hagës, Haradinaj është liruar nga paraburgimi deri para fillimit të gjykimit, ndërsa më 26 shkurt 2007 shkoi përsëri në Hagë për të qenë në procesin gjyqësor.

Haradinaj festën e pritjes së Vitit të Ri 2008 e ka kaluar në familje në Kosovë, i liruar përkohësisht nga gjykata dhe është rikthyer në Hagë më 4 janar.

Në gjyqin ndaj Haradinjat, të nisur më 5 mars 2007, janë zhvilluar rreth 120 ditë seanca, gjatë së cilave pala akuzuese ka sjellë në gjyq afër 80 dëshmitarë. Pala mbrojtëse konsideroi se prokuroria nuk ka dëshmuar në asnjë pikë akuzat. Prandaj mbrojtja e Haradinajt nuk e ka parë të arsyeshme të sjillte dëshmitarë në gjyq, duke besuar se pafajësia është siguruar nga dëshmitë e dëshmiatërëve të palës së kundërt. Vendimi i mbrojtjes që mos të paraqiten me dëshmitarët e saj ka shkurtuar procesin gjyqësor.

Më 3 prill 2008 Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit. I pafajshëm u shpall edhe Idriz Balaj. Lahi Brahimaj u dënua me 6 vite burgim.