Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 10:28

Hagë – Po vazhdon sot procesi pjesërisht i përsëritur gjyqësor ndaj ish-Kryeministrit të Kosovës dhe kreut të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij Lahi Ibrahimaj e Idriz Balaj, në Tribunalin e Hagës.

Dëshmitari i konsideruar kyç në këtë proces, Shefqet Kabashi, ka polemizuar dhe kundërshtuar ashpër në këtë senacë Prokurorinë e Hagës, për akuzat e saj dhe pyetjet, siç ka thënë ai, të paqëlluara dhe provokative të prokurorit dhe të hetuesve të saj.

Ai e ka krahasuar hetuesinë e Tribunalit me hetuesit e Serbisë. Kabashi ka thënë se ka qenë i burgosur edhe në Burgun e Dubravës dhe hetuesit në vend se ta pyesin atë për krimet dhe masakrën që është bërë ndaj shqiptarëve në atë burg, Kabashi ka thënë se po provokohet me të ashtuquajturat kinse krime të ushtarëve të UÇK-së.

Kabashi ka thënë se në Tribunalin e Hagës nuk ka dhe nuk do të ketë drejtësi, derisa të ndodhë kjo.

Prokurori, pasi kërkoi pushim dhe ndërprerjen e seancës, u tërhoq dhe kërkoi vazhdimin e saj. Ndërkohë, kërkoi që seanca të mbyllet për publikun. Në këto momente po mbahet seancë private. (LajmeShqip.com)