Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 08:04

Aktivisti dhe njeri nder organizatoret kryesor të LDK-së në diasporë, Hafiz Gagica, ka reaguar në lidhje me shkrimet e fundit për fillimin e rezistencës së armatosur kundër Serbisë.

Në vazhdim lexoni reagimin e plotë:

Reagim me shkas!

Edhe gjatë këtyre ditëve me vapë gushti po bëhen shkrime dhe debate polemizuese në disa portale në internet lidhur me atë se kush ishte iniciatorë, kush organizatorë e kush më meritorë për formimin dhe dërgimin e grupeve të para ushtarake për ushtrime në Shqipëri..?

Grupet e para ushtarake (guerile) i ka organizue Dega e LDK-së në Gjermani në bashkëpunim me Degën e LDK-së në Zvicër, por në koordinim të plotë me kryetarin Ibrahim Rugova dhe anëtarin e kryesisë qendrore të LDK-së në Prishtinë Prof . Ali Aliun.

Pra, ideja ka qenë e Degës së LDK-së në Gjermani si dhe disa aktivistëve të LDK-së në Zvicër bashkë me disa miq e patriotë në Evropë. Miratimi është marrë nga Presidenti Rugova, pastaj është kontaktuar koordinatori për çështje politike dhe ushtarake dhe në marrëveshje Tiranën, gjegjësisht me Ramiz Alinë, i cili ka pasur një rol të pozitiv është arritur marrëveshja që nëShqipëri të dërgohen për ushtrime, grupet e para ushtarake, gjithëashtu është mar miratimin edhe i kryetarit te PDSH Dr Sali Berisha, në atë kohë partia e pare opozitare.

Jo rrallëherë është manipulue dhe po vazhdon të keqpërdoren heronjtë, ashtu siç po keqinterpretohen iniciatorët e formimit të grupeve të para ushtarake të dërguara në Shqipëri, ku në mesin e tyre kemi heronj që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës.

Unë, kohë pas kohe kam dhënë sqarime dhe nuk kam dashur të merrem me deklaratat e disa individëve, ndonëse jam njëri ndër themeluesit kryesorë të grupeve të para ushtarake të ushtruara në Shqipëri.

Andaj, më vjen keq që disa individë po manipulojnë me pjesëmarrjen e tyre në ato ushtrime, por të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtyre organizimeve, përkundrazi gjithnjë kanë ngritë dilema dhe akuza ndaj njerëzve kyç të këtij organizimi !

Pa dashur me u lëshue më shumë rreth kësaj teme, unë në deklaratat e mia kam potencue se tani më ka ardhur çasti kur të gjithë aktorët politik dhe ushtarak të asaj kohe të ulemi dhe bashkërisht t’iu ofrojmë faktet e vërteta historianëve tanë, për ta shkrue vetëm të vërtetën rreth kësaj çështjeje, por edhe për secilin detaj të organizimit tonë politik dhe ushtarak.

E vërteta dhe historia nuk shkruhen sipas tekeve dhe interesave të ngushta partiake dhe individuale rreth cilës do ngjarje qoftë, duke dhënë vlerësime të shtrembëruara, se gjoja ai person apo ai grup ka qenë organizator i kësaj apo asaj beteje, dhe kështu më radhë..!!

Të gjithë ata që kanë qenë në stërvitje në Shqipëri e dinë mirë të vërtetën, mbase disa kanë provue me përfitue politikisht, sidomos pas rënies heroike të Zahir Pajazitit, Adem Jasharit dhe Sali Çekajt.

Ata që duan të bëhen pjesë e historisë përmes figurave të shquara politike si dhe përmes gjakut të heronjve të Kosovës, duhet ta dinë shumë qartë, se nuk kanë asnjë shans për t’u imponue mbi ngjarjet dhe historinë e re të Kosovës, por as mbi luftën tonë çlirimtare, sepse janë dokumentet që dëshmojnë dhe akoma janë gjallë aktorët si dhe dëshmitarët kryesorë të atyre ngjarjeve, të cilat janë shumë të freskëta në mbamendjen dhe kujtesën tonë individuale dhe kolektive..!

Hafiz Gagica Prishtinë, më 17.08. 2015

PS:Më poshtë mund të dëgjoni pjesë nga intervista ime në TV-Rrokum, dhënë për emisionin “Forum” më 16. 04. 2015, aty kam fol më gjerësisht se kush dhe si janë themelue grupet e para guerile.