Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 11:27

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, të hënën pasdite, ka takuar presidentin e Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i punëve të jashtme, Micha Ondo Bile.

Gjatë këtij takimi të zhvilluar në kryeqytetin modern të Guinesë Ekuatoriale, Malabo, Pacolli ka prezantuar edhe njëherë kërkesën për njohjen e vendit tonë, duke argumentuar se një vendim i tillë është në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe konform opinionit këshillëdhënës të GJND-së.

Në anën tjetër, Presidenti Obiang, i premtoi Pacollit se menjëherë do të fillojnë procedurat e formalizimit të njohjes së Kosovës, duke i konfirmuar se vendi i tij, do të jetë gjithmonë në krah të demokracisë.

Njohja nga Guinea Ekuatoriale është konsideruar si e pamundshme për shkak se ky shtet udhëheq me Unionin Afrikan, dhe shumica e shteteve të këtij unioni ende nuk e kanë njohur Kosovën. Mëgjithëkëtë, tri takimet që zëvendëskryeministri Pacolli zhvilloi me presidentin e Obiang (në inaugurimin e presidentit të Bregut të Fildisht, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe ky i fundit), rezultuan të suksesshme.

Pas takimit me Obiang, Pacolli, në një konferencë për mediumin gjithëafrikan, u ka bërë thirrje edhe shteteve tjera afrikane që të marrin vendimin e drejtë pro pavarësisë së Kosovës.

Turneu lobues i Pacollit do të vazhdojë në Azinë së largët.