Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 19:04

Xhorxhtaun – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Guajana, ku gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett, ka nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Guajanës. endimin për njohjen e Kosovës, Qeveria e Guajanës e ka marrë në mars të këtij viti, ndërsa që vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, ka formalizuar dhe zyrtarizuar këtë njohje.

Gjatë qëndrimit në Xhorxhtaun, përveç takimit me homologen Rodrigues-Birkett, ministri Hoxhaj u prit edhe nga presidenti i këtij shteti, Donald Ramotar.
Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj dhe udhëheqësit e shtetit dhe diplomacisë së Guajanës kanë shprehur përkushtimin e dy shteteve për fuqizimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Guajanës.
Ministri Enver Hoxhaj theksoi se shtetet e vogla duhet të qëndrojnë afër njëri tjetrit.
“Republika e Kosovës është e interesuar të jetë partner bilateral dhe evropian i Guajanës, në Ballkan dhe më gjerë. Ne jemi të interesuar që të kemi shkëmbime në fusha të ndryshme të jetës”, tha Hoxhaj, duke falënderuar autoritetet e Guajanës për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Hoxhaj tha po ashtu se ky akt është pranim edhe i aspiratës së popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Carolyn Rodrigues-Birkett, tha se vendimi për njohjen e Kosovës ka qenë i pashmangshëm, i drejtë dhe është mirënjohje për të kaluarën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Vendimi për njohje dhe nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike është hap historik edhe për Guajanën dhe ne shpresojmë që të kemi bashkëpunim me Kosovën në disa fusha të jetës”, tha ministrja Rodrigues-Birkett, njofton MPJ.
Gjatë takimit me presidentin e Guajanës, Donald Ramotar, ministri Hoxhaj tha se Kosova është ndërtuar në tri parime si shtet i pavarur: demokracia, multietniciteti dhe sekularizmi.
Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se Kosova në pesë vjetët e fundit e ka konsoliduar shtetësinë e saj, duke ndërtuar një shtet funksional.
“Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike sot është moment historik për të dy popujt tanë. Dhe, përkundër distancës gjeografike, ne jemi të interesuar që të kemi bashkëpunim në fusha të ndryshme”, ka thënë Hoxhaj
Në anën tjetër, presidenti Donald Ramotar ka thënë se njohja e Kosovës ka qenë e domosdoshme dhe është në përputhje me parimet dhe orientimet e politikës së jashtme të Guajanës.
Ministri Hoxhaj gjatë dy vjetëve të fundit ka zhvilluar disa vizita në shtetet e Amerikës Qendrore dhe Latine, në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën.
Guajana, është shtet anëtar i Komunitetit të Karaibeve (CARICOM) dhe në kryeqytetin e saj, Xhorxhtaun, ndodhet selia e sekretariatit të kësaj organizate.