Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 12:14

Prishtinë – Ka filluar marrja në pyetje e të dyshuarve për krime lufte në rastin e Grupit të Drenicës. I pari që është përgjigjur në pyetjet e prokurorit ka qenë Sahit Jashari.

Avokati i tij Tahir Rrecaj ka thënë se Jashari është marrë sot në pyetje nga prokurori Salustro për akuza tashmë të njohura për krime lufte. 

Ai, siç raporton rtk,  tha se Jashari është përgjigjur në pyetjet e prokurorit dhe ka dëshmuar se akuzat ndaj tij nuk kanë ndonjë bazë ligjore.

Më tutje ai ka shtuar se Jashari nuk ka të bëjë me dyshimet e ngritura ndaj tij.
Sipas Rrecajt, Jashari ka deklaruar se ka qenë komandant i Policisë Ushtarake, e cila ka qenë lëvizëse dhe jo në një vend strikt, prandaj Rrecaj thotë se dyshimet për keqtrajtime dhe maltretime në Likoc dhe vrasja e Ivan Bullatoviqit aq më pak ka të bëjë më Jasharin.

Rrecaj tha se beson shumë se rezultati përfundimtar do të jetë lirimi i Jasharit dhe të tjerëve.

 

“Grupi Drenica” para prokurorit 

Prishtinë – Shtatë të pandehurit e “Grupit të Drenicës” do të përcillen sot (e mërkurë) nga Qendra e paraburgimit deri në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ku pritet të paraqiten për t’u përballur me pyetjet e Prokurorit italian Mauricio Salustro, lidhur me akuzat për krime lufte.
Këtë e ka konfirmuar për Express edhe mbrojtësi i të pandehurit Sahit Jashari, avokati Tahir Recaj.
“Me ftesë të Prokurorit Salustro do të paraqitemi para Prokurorisë në Prishtinë, ku të pandehurit do të merren në pyetje lidhur me akuzat për krime lufte. Imbrojturi im Sahit Jashari do të paraqitet në ora 10: 30”, tha Recaj.
Ish- Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Sylejman Selimi, përballjen me Salustron do ta ketë në orën 11:30, ndërsa menjëherë pas tij është radha e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Avokati Recaj tha se është në dijeni që Prokurori është në përfundim të hetimeve.
Ndërsa, pohoi se vendimi për ngritje apo jo të aktakuzës pritet të kumtohet në fund të shtatorit eventualisht në muajin tetor të këtij viti.
“Ne presim përmbyllje të hetimeve meqë me sa kemi informata Prokurori ende nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritje të aktakuzës lidhur me akuzat që ua vë”, tha Recaj.
Burime ndërkombëtare të Express ndërkaq bëjnë të ditur se Salustro është i bindur në fajësinë e të dyshuarve dhe se pritet që qysh në tetor ta ngrit aktakuzën ndaj të pandehurve.
Që të gjithë të dyshuarit gjenden në Qendrën e paraburgimit qysh prej muajit të kaluar.
Përveç, Sylejman Selimit dhe ish- Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku të dyshuar të tjerë janë edhe ish- komandanti i brigadës 111, Jahir Demaku; vëllau i tijZeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaç.
Selimi akuzohet për shtatë vepra penale, Lushtaku me tri vepra penale, ndërsa Sahit Jashari me tetë vepra penale.
Sipas pretendimeve të Salustros ish- pjesëtarët e UCK’së dyshohen për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK’së në Likovc (komuna e Skënderajt). Derisa Samu Lushtaku dyshohet për vrasjen e një civili.
Sipas Prokurorit Salustro, ish- komandanti Sylejman Selimi me autoritetin e tij si anëtar i UÇK’së dhe si person që ka ushtruar kontroll mbi qendrën e burgimit në Likofc në bashkëpunim me Sami Lushtakun, Avni Zabelit dhe Sahit Jasharit, dhunuan integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të pacaktuar civilësh shqiptarë, të mbajtur në qendrën e burgimit.
Dhunë dyshohet se Selimui ka ushtuar edhe mbi një dëshmitarë tjetër të rastit, duke e rrahur atë me grushte dhe shkopinj druri.
“ Ka urdhëruar dëshmitarin B, një civil të mbajtur në qendrën e burgimit në Likofc, të qëllonte vazhdimisht dëshmitarin A me një copë druri dhe shtypi organet gjenitale të dëshmitarit A, dhe e tërhoqën në tokë më pas”, thuhet në një dokument të hartuar nga prokurori që po udhëheq me hetimetqë është publikuar në mediat vendore.
Kryetari I Skënderajt ndërkaq po hetohet për vrasjen e një burri në Galicë të Dubovcit duke e qëlluar tri herë në kokë dhe për keqtrajtimin e disa të burgosurve në qendrën e burgimit të UÇK’së.
Sahit Jashari, ndërkaq po hetohet për dhunim trupor të Ivan Bulatovic, një oficer serb i policisë të mbajtur peng nga UÇK’ja.
.