Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 15:13

TIRANË- Sot shënohet dita e 25 e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, ndërkohë që kushtet atmosferike duket se po rëndojnë akoma dhe më shumë gjendjen e tyre, e cila me kalimin e ditëve ka shfaqur shenja dobësimi dhe rëndimi shëndetësor.

Grevisti 55-vjeçar, Vllasi Koçi u detyrua dje ta braktiste atë për shkak të komplikacioneve në zemër, për tu rikthyer sërish pas mungesës së shërbimit të duhur mjekësor. Koordinatori i grevës, Skënder Tufa, akuzoi bluzat e bardha për militantizëm dhe shërbim të keq ndaj Koçit, duke i akuzuar se po marrin urdhra nga Kryeministri.

Ndërkohë,  mjeku Besnik Lamçe, i cili po ndjek grevën e urisë së ish- të përndjekurve duke mos dashur të komentojë akuzat që ish- të përndjekurit bënë për bluzat e bardha deklaroi se ai vetë po të lindë nevoja nuk do lejojë që parametrat jetësore të grevistëve të vihen në rrezik. 

ASLLAN PATRIOTI: TË ULIM TONET DHE KËRCËNIMET
Ora 13:36 Koordinatori i grevës Asllan Patrioti në një prononcim për NEWS24, njoftoi se vajza e Gjergj Ndrecës, i cili dogji vetën i pari me benzinë, bashkë me të rinjtë e shkollës i ka bërë thirrje sot  kryeministrit Berisha të ulet me negociata me grevistët.

Patrioti bëri thirrje që të ulen tonet, ndërkohë megjithëse nuk dha shumë detaje deklaroi se ka disa sinjale për negociata që do të mund ti japin zgjidhje situatës.

“Ka disa sinjale për negociata. I bëj thirrje kryeministrit të ulim tonet dhe kërcënimet dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që të vlerësojë këta njerëz”,- tha Patrioti.

DREJTORESHA E ASHR-SË: URGJENCA NË GATISHMËRI TË GREVISTËVE
Ora 11:19 Në një deklaratë për mediat, nga ambientet ku po zhvillohet greva e ish-të përndjekurve politikë, drejtoresha e ASHR-së Liljana Ramasaco deklaroi se grupi i mjekëve të urgjencës i ka dhënë shërbim çdo grevisti, ndërkohë që do të vijojë me të njëjtin intensitet shërbimin ndaj tyre.

MJEKU: GJENDJA E GREVISTËVE ËSHTË RËNDUAR
Ora 10:55 Mjeku Besnik Lamçe, i cili po ndjek grevën e urisë së ish- të përndjekurve në një dalje për mediat informon se gjendja e ish-të burgosurve shfaqet e rënduar në ditën e 25 të rezistencës së tyre. 

“Gjendja është e rënduar në konteksin e mungesës së lëngjeve në organizëm dhe prishja e parametrave që tek Vllasi Koçi, Ramazani Kollçaku etj, ka filluar të ulet tensioni, kanë mungesë lëngjesh, që pasqyrohet me uljen e oksigjenit në gjak. Konkretisht problematika duhet ndjekur me kujdes për më vonë. Aktualisht është e rënduar. Gjendja e dy prej tyre Vllasit dhe Ramazanit është më e rënduar. Kujdesi ndaj tyre e ka synim të parë tu rrimë pranë dhe për t’i këshilluar për të mirën e jetës së tyre. Ata kanë bindjet e veta dhe nuk mund të ndikojmë”, deklaroi mjeku Lamçe. 

Mjeku Lamçe, duke mos dashur të komentojë akuzat që ish- të përndjekurit bënë për bluzat e bardha deklaroi se nuk do lejojë që parametrat jetësore të grevistëve të vihen në rrezik. “Nëse do ishte rënduar gjendja e tyre jetësore unë do i merrja vetë në krah dhe do i nxirrja me zor nga greva drejt spitalit. Nuk di çfarë të them për akuzat, por  unë di të them se shërbimi i urgjencës e ka pikën më kulmore kujdesin për shëndetin e grevistëve”, theksoi Lamaj. 

GREVISTËT: HALIMI GËNJEN PËR PRONAT TONA, BERISHA PJELLË E KOMUNIZMIT
Ora 10:35 Paraditen e sotme mediat janë lejuar të hynë në ambientet e grevës. Në një deklaratë për mediat, grevisti Fatmir Lamaj ka reguar ndaj deklaratave të mbrëmshme të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. “Ministri Halimi arriti deri aty sa të gënjejë se kam privatizur gjysmën e Sarandës. Hipotekat sot kanë akses për çdo qytetar, me përjashtim të një reparti ushtarak që u nda me një shokun tim bashkëvuajtës. Edhe ato shpi që i rregulluam na u hodhën në erë nga bandat e vitit 1995”,- deklaroi Lamaj, duke hedhur poshtë deklarat që ministri Halimi bëri dje në një intervistë televizive. 

Lamaj u përgjigj edhe ndaj sulmeve që bëri një ditë më parë Kryeministri Berisha ndaj shtresës së ish- të burgosurve politikë, duke e akuzuar atë për urrejtje. “Edhe njëherë ndaj zotit Kryeministër që thotë se jemi të përdorur nga PS dhe se jemi spiuna, kur kam qenë 21-vjeç dhe dola në gjyq për propagandë kam deklaruar se jam armik i komunizmit deri në vdekje dhe kështu do them deri sa të vdes, ndërsa ti je pjellë e saj dhe vijon ti shërbesh”,- theksoi Lamaj.(LajmeShqip.com)