Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 19:49

Tiranë – Takimi midis minatorëve të Bulqizës dhe kompanisë ACR është shtyrë për nesër. Takimi, i cili pritej të zhvillohej sot rreth orës 16:00, u shty për shkak se përfaqësuesit e kompanisë nuk ishin dakord për orarin e zhvillimit të tij.

Gjatë ditës së sotme, kompania ACR, ftoi minatorët e Bulqizës të zhvillonin një takim për të nisur negociatat në lidhje me shqyrtimin e kërkesave të tyre. Në ftesë thuhej se në takim do të ishin të pranishëm dhe përfaqësues të Bashkisë së Bulqizës, ndërkohë që ritheksohej kërkesa e parë e kompanisë për mospranimin në takim të kreut të Konfederatës, Kol Nikolla dhe kreut të Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci.

Për realizimin e këtij takimi, Këshilli i grevës së minatorëve në Bulqizë, së bashku me  Kol Nikollën dhe Taf Kolecin, vendosën të pranonin kërkesën e përfaqësuesve të ACR, për të zhvilluar takimin tre palësh mes minatorëve, përfaqësuesve të firmës ACR dhe Bashkisë së Bulqizës, por takimi i shumëpritur u shty për ditën e nesërme.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), nga ana e saj i ka bër thirrje minatorëve që të lejohen të hyjnë brenda galerisë specialistët e saj për ta parë më afër gjendjen atje.

Sipas Repartit Inspektim- Shpëtim Miniera, institucion në vartësi të METE-s, “ndërprerja e punës nga minatorët grevistë mund të shkaktojë shembjen e nënkateve si dhe të gjitha armaturave që kanë qenë në proces pune, ndërsa mosndezja e ventilatorëve do të bëjnë të mundur grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në punimet minerare sidomos në punimet qorre, duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë”.

Minatorët ndodhen në përfundim të ditës së 15-të të grevës së urisë. Ata kërkojnë rritje page 40 për qind kushte më të mira pune, uljen e moshës së pensionit, si dhe largimin nga detyra të administratorit të kompanisë ACR.