Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 19:17

Bulqizë – Në ditën e nëntë të saj, greva e urisë e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në fazën më kritike. Një minator paradite dhe një pasdite, janë nxjerrë nga greva në gjendje të rëndë shëndetësore.

13 minatorë të tjerë vazhdojnë grevën në thellësinë prej 1400 metrash nën tokë. Bëhet e ditur se shumica prej tyre kanë probleme me frymëmarrjen dhe shikimin, ndërkohë që po rritet niveli i ujit nga problemet me pompat që ndodhen në brendësi të minierës.

Gjendja e minatorëve grevistë edhe në këto moment të mbëmjes raportohet të jetë përkeqësuar së tepërmi, por ata refuzojnë ta lënë grevën.

Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, ka bërë të ditur se edhe një minator tjetër është në gjendje shumë të rëndë shendetësore.

Nikollaj shtoi se kjo situatë do të vijojë derisa ACR të realizojë një marrëveshje konkrete me minatorët. Sipas tij, ACR dhe qeveria deri tani kanë qëndruar indiferente ndaj kërkesave të vërteta të minatorëve.

Minatorët e Bulqizës këkojnë rritjen e pagave në masën 40 për qind, largimin e drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë  dhe uljen e moshës së pensionit. (LajmeShqip.com)