Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 11:19

Tiranë – Minatorët e Bulqizës, të “ngujuar” 1400 metra nën tokë, vijojnë ditën e12-të të grevës së urisë, gjë që ka shkaktuar përkeqësim të shëndetit të tyre. Gjatë ditës së sotme pritet të ritkhehet në grevë Limon Isufi, minatori i cili tre ditë më parë u dërgua në spitalin e Bulqizës pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndërkohë mësohet se kryetari i bashkisë së Bulqizës Roland Keta pritet te takojë ne Tiranë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Nasip Naço për të diskutuar për çështjen e minatorëve.

Takimi organizohet pas zhvillimeve të ditës së enjte, kur tentativa që palët të uleshin në tryezë për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e minatorëve, dështoi.

Në deklaratat e tyre Giga Bedineishvili, administratori i firmës ACR akuzoi kreun e konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla se vendosi veton për të përfaqësuar minatorët. Ndërsa Kolë Nikolla deklaroi se zgjidhja do të vijë vetëm duke arritur një marrëveshje me sindikatën e cila përfaqëson minatorët dhe të drejtat.

13 minatorët e Bulqizës, prej 12 ditësh ndodhen në grevë dhe kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.